Lidhje

Lufta kundër malaries


Një shkencëtar nga Burkina Faso ka fituar një çmim nga Shoqëria Mbretërore e Britanisë për hulumtimet e tij mbi mënyra të reja për të luftuar mushkonjat përgjegjëse për përhapjen e malaries. Shkencëtarët thonë se është e rëndësishme për të zhvilluar mjete të reja për të luftuar sëmundjen edhe nga ana e parazitit të malaries, por edhe mushkonjat që bartin atë, të cilat po zhvillojnë rezistencë ndaj ilaçeve ekzistuese dhe insekticideve.

Burkina Faso ka një nga përqindjet më të larta të të infektuarve me malarie. Pas studimeve në Francë dhe Shtetet e Bashkuara, Dr. Abdoulaye Diabate u kthye në vendin e tij për të kryer hulumtime në modelet riprodhuese të mushkonjave. Zbulimet e tij kanë kapur vëmendjen e shkencëtarëve anembanë globit.

“Gjëja më e rëndësishme në lidhje me këtë sistem çiftëzimi është se sa herë të shkoni në një vend ku dihet se ndodhen mushkonja, do të gjeni një koloni mushkonjash në të njëjtin vend çdo ditë. Kjo e bën të lehtë në përpjekjet e zvogëlimit të dendësisë së mushkonjave.”

Dr. Diabate mësoi se gjatë sezonit të shiut të Burkina Fasos, disa shtëpi përfshinin 900 mushkonja. Gjetja se insektet lëvizin në koloni për t’u çiftëzuar në të njëjtin vend çdo vit prezanton mundësinë për të ndërpritur sistemet e shumimit. Doctor Diabate është përqëndruar në mushkonjat meshkuj.

“Nëse mund t’ia dalim mbanë në eliminimin e mashkullit mushkonjë, patjetër do të ndikojë në raportin mashkull -femër. Do të ketë më shumë femra se sa meshkuj, dhe pastaj nuk do të jenë në gjendje të shumohen. Pra, nëse nuk ka meshkuj, nuk do të ketë vezë dhe as mushkonja. Dhe në këtë rast, nuk do të kemi malaria.”

Hulumtimi i hap derën të teknologjive të reja të kontrollit të malaries, të tilla si projektimi i teknikave për sterilizimin e insekteve. Doktor Diabate do të marrë 95 mijë dollarë për hulumtimet e tij, si pjesë e çmimit Pfizer të Shoqërisë Mbretërore. Profesori Sir Brian Greenwood nga Universiteti i Londrës, Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale ishte një nga anëtarët e komisionit përzgjedhës.

“Deri më tani, ne jemi mbështetur shumë në përdorimin e rrjetave të trajtuara me insekticide. Por ka shqetësime rreth rezistencës ndaj insekticideve që janë përdorur për rrjetat. Kështu, me të vërtetë zhvillimi i mënyrave të reja kontrollin e agjentëve transmetues të malaries është shumë i rëndësishëm.”

Pavarësisht përparimeve shkencore, malaria vret një rreth 660 mijë njerëz çdo vit - shumica e të cilëve janë fëmijë. Firma britanike GlaxoSmithKline planifikon të paraqesë një kërkesë për vaksinën e parë të malaries në botë, të njohur si RTS,S. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se kjo mund të jetë e disponueshme nga viti 2015. Profesor Greenwood ndihmoi me vaksinën.

“Mund t’i japë deri në 50 përqind mbrojtje fëmijëve më të rritur për mbase tre apo katër vjet. Fatkeqësisht, është më pak e dobishme për të miturit që duam të mbrojmë. Dhe 50 përqind nuk është 100 përqind, shifra që ne do të donim. Por është një hap në drejtimin e duhur.”

Ndërkohë, Dr Diabate thotë se ai shpreson se duke fituar çmimin e studiuesit do të frymëzojë të gjithë Afrikën për të përqëndrohet në trajtimin e malaries.
XS
SM
MD
LG