Lidhje

Lirimi i të dënuarit Lulzim Berisha: Arrestohet drejtori i burgut dhe kërkohet juristi


Drejtori i burgut të Durrësit Astrit Kotaj u arrestua sot pas akuzave të prokurorisë së atij qyteti për shpërdorim të detyrës shtetërore dhe falsifikim të dokumentave pas lirimit me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.

Prokuroria e Durrësit nisi hetime kryesisht pas lirimit të tij me kusht dhe krahas drejtorit të burgut Kotaj, është shpallur në kërkim edhe juristi i burgut T.L.

Hetuesit vlerësuan se dy të pandehurit kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit në burg të të dënuarit Lulzim Berisha.

Ata e shkurtuan në bashkëpunim me dy vjet e shtatë muaj kohën e burgimit të Berishës, në mënyrë që të përfitonte nga lehtësirat e parashikuara në ligj si lirim me kusht.

I burgosuri Lulzim Berisha u lirua nga gjykata e Apelit në Durrës më 6 dhjetor pas një seri lehtësirash, që iu krijuan nga “sëmundja e rëndë”, “shpërdorimi i detyrës”, “falsifikimi i dokumentave” e deri te rekomandime pozitive nga kryetari i bashkisë së Durrësit.

Por prokuroria e Durrësit nisi hetimet për shpërdorim detyre menjëherë pas lirimit me kusht të Berishës.

Ai është dënuar me 25 vjet për disa vrasje dhe trafik narkotikësh. Ambasada amerikane deklaroi me rastin e lirimit të tij se “gjykata të korruptuara po japin vendime të papranueshme”.

Dënimi dhe lirimi i tij pas lehtësirash të herëpashershme është prej dy javësh temë e debateve të ashpra midis partive kryesore politike në vend.

Prokuroria e Apelit në Durrës ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin me kusht të ish kreut të “Bandës së Durrësit” Lulzim Berisha.

Prokuroria theksoi se “nuk legjitimohet vendimi i lirimit me kusht për shkak të natyrës së veprave të rënda penale; për shkak të uljes së pajustifikuar të kohës së dënimit nga gjykatat për të dënuarin e burgosur për vepra të rënda penale; dhe për shkak të llogarive jo të sakta për kohën e burgimit”.

Prokuroria e Durrësit nisi hetimet me nismën e saj për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore dhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave u vendos me lirimin me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha.

Sipas Prokurorisë, “ka dyshime të arsyeshme, që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të Berishës”.

Janë një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishës, të cilat ngrejnë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim, dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme, deri në vendimin e 5 dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht.

Debatet mbi lirimin e parakohshëm të Lulzim Berishës shpërthyen pas publikimit nga ana e BIRN dhe “Zërit të Amerikës” të një materiali mbi veprimet dhe vendimet e shumta të gjykatave shqiptare, si dhe të një letre të përdorur gjatë procesit që çoi në lirimin e tij, dërguar nga bashkia e Durrësit, ku shkruhej se kjo bashki “duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”.

Partia Demokratike reagoi me forcë duke kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut socialist të Durrësit Vangjush Dako i cili sipas saj, “ka përdorur pushtetin dhe zyrën, që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit. Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve”.

Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit dha një shpjegim jobindës për rekomandimin e lëshuar për Lulzim Berishën, duke folur për një procedurë rutinë.

“Ne i ofrojmë çdo të dënuari që dënohet me punë vullnetare në komunitet, i ofrojmë mundësi punësimi në ndërmarrjet tona, me punë vullnetare, që do të thotë ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë, sepse kanë dënim nga gjykata. Nuk jemi ne që vendosim. Gjykata i vendos në mënyrë të detyruar. Kërkesa ishte që familja ka apo jo sjellje të mirë në shoqëri. Ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetin”, u shpreh Dako për gazetarët.

Por shpjegimi i zotit Dako nuk përputhet me rastin e Lulzim Berishës. Ai është liruar me kusht dhe jo me detyrim për punë në komunitet, që përgjithësisht jepet për ata që kryejnë vepra penale, që nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.

XS
SM
MD
LG