Arriti në 14 numri i viktimave në aksidentin me autobusin që udhëtonte të mërkurën në mbrëmje nga Shkupi për në Gostivar. Autobusi me dhjetëra pasagjerë, për shkaqe ende të panjohura ishte përplasur në bankinat e autostradës, kishte kaluar në anën tjetër të rrugës për të përfunduar në humnerë pranë fshatit Llaskarcë, në dalje të Shkupit.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi për numrin e viktimave nga spitali “8 Shtatori” në Shkup, duke thënë se shtatë vetë kishin vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa pesë të tjerë nëpër spitale. Më pas Kryeministri Zoran Zaev, i cili vizitoi të lënduarit në spital, tha se edhe një prej udhëtarëve kishte humbur jetën.
Në spitalet e Shkupit janë dërguar rreth 30 vetë, shtatë prej të cilëve me lëndime të rënda por në gjendje të qëndrueshme, sipas autoriteteve shëndetësore. Të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta, në mesin e të cilëve edhe një grua shtatzënë.
Shoferi i autobusit ka kaluar me lëndime. Atë e kanë marrë në pyetje prokurorët, ndërsa po i bëheshin analizat laboratorike në një prej spitaleve të Shkupit.
Dëshmitarë kanë pohuar të kishin dëgjuar një zhurmë sikur t’i kishte plasur goma dhe shoferi ta kishte humbur kontrollin e automjetit.
Ekipe policore, të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikës kishin dalë në vendngjarje, ndërsa para tyre banorët e fshatit kanë ndihmuar po ashtu me makineritë e tyre për ta ngritur autobusin dhe në shpëtimin e pasagjerëve.
Shumica e pasagjerëve ishin nga Gostivari, kryesisht në moshë të re; punonjës administrate që për çdo ditë udhëtonin në kryeqytet.
Datat 14 dhe 15 shkurt janë shpallur ditë zie në Maqedoni.
Facebook Forum