Lidhje

Maqedoni, PSD nuk arrin të përmbysë rezultatin


Rivotimi në qendrën numër 2001 në Tearcë pranë Tetovës, me gjithë pritjet, nuk arriti të ndryshojë rezultatin e përgjithshëm të mandateve të partive politike në parlamentin e Maqedonisë.

Nga 714 votues me të drejtë vote, votën e hodhën 56 për qind e tyre. Lidhja Social Demokrate mori 245 vota, ndërsa VMRO-DPMNE 149. LSDM-së i duheshin më tepër se 300 vota për ta përmbysur rezultatin e përgjithshëm. Edhe pas votimeve të Tearcës VMRO-DPMNE do të ketë 51 ligjvënës, ndërsa LSDM 49.

Zyrtarë të opozitës maqedonase akuzuan VMRO-në për mënyrën e zhvillimit të “aktiviteteve të nëntokës”, frikësimin e votuesve dhe blerjen e votave në Tearcë.

Edhe vëzhguesit vendas kishin njoftuar këto ditë për përpjekjet e partive maqedonase për blerjen e votave në këtë komunë etnikisht të përzier, në veriperëndim të Maqedonisë, që bën pjesë në zonën e gjashtë zgjedhore, nga gjithsej shtatë zonat e Maqedonisë.

Dy partitë maqedonase ishin konkurrentët në garën e Tearcës, ndërsa votat për partitë shqiptare nuk mund të ndryshonin rezultatin në mandatet e tyre.

LSDM, megjithatë shprehet e bindur se është ajo e cila do ta formojë qeverinë e Maqedonisë.

Për formimin e qeverisë, një partie ose koalicioni i nevojiten 61 vota në parlament. Gjithçka varet nga partitë shqiptare se si do të rreshtohen ato. Bashkimi Demokratik për Integrim ka 10 mandate ligjvënësish, Lëvizja Besa 5, Aleanca për shqiptarët 3 dhe Paria Demokratike Shqiptare 2 deputetë. Lëvizja Besa ka lënë të kuptohet se nuk bëhet pjesë e një koalicioni me VMRO-në, nëse drejtuesit e saj, të dyshuar nga Prokuroria e posaçme, do të jenë në qeverinë e re të vendit.

Nëse VMRO-DPMNE nuk arrin të sigurojë 61 vota, mandati për formimin e qeverisë do t’i kalojë partisë së dytë më të madhe, në këtë rast Lidhjes Social Demokrate.

Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pas dy dështimeve të mëhershme gjatë vitit, ndërsa synonin t'i japin fund të krizës politike që ka përfshirë vendin që prej para dy vitesh. Por, rezultati i ngushtë i zgjedhjeve duket se vetëm po e thellon krizën, ndërkohë që si rrjedhojë nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme edhe një herë deri në verën e vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG