Lidhje

Miratohen ndryshimet kushtetuese në Maqedoni


Parlamenti i Maqedonisë, miratoi të premten ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit të saj në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.

Tetëdhjetë e një deputetë në parlamentin 120 vendesh votuan për ndryshimet kushtetuese, duke miratuar së pari veç e veç katër amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit, me preambulën, me shtetësinë, kujdesin e shtetit për diasporën dhe më pas ligjin kushtetues ose paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, që kundërshtojnë marrëveshjen, bojkotuan votimin.

Miratohen ndryshimet kushtetuese në Maqedoni
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Shumica parlamentare arriti dy të tretat e nevojshme të votave pas një marrëveshjeje në orët e pasdites mes kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesve të krahut opozitar të Lëvizjes Besa, dy ligjënësit e së cilës patën një rol kyç në plotësimin e shumicës së nevojshme për këto ndryshime.

Kryeministri Zaev dhe partia shqiptare ranë dakord që në kushtetutën e re, në përcaktimin e termit të shtetësisë do të përdoren dy emërtime “maqedonase dhe qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për shqiptarët do të ketë një sqarim për përkatësinë e tyre etnike. Po ashtu letërnjoftimet personale do të përfshijnë edhe deklarimin e shtetasve sipas përkatësisë së tyre etnike.

Në preambulën e re të Kushtetutrës thuhet, mes tjerash:

“Qytetarët е Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, pjesa e popullit shqiptar, pjesa e popullit turk, e popullit vlleh, popullit serb... duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre...”; Nga këtu është hequr referenca “si dhe pjesëtarët e komuniteteve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj e që janë pjesë e popullit...”

Zoti Zaev gjatë mbrojtjes së amendamenteve në parlament, shprehu mirënjohjen për ata deputetë të opozitës të cilët përmes votës së tyre e ndihmuan procesin. Ndërkaq, ligjvënësja Elizabeta Kançevska Milevska nga grupi i tetëshes së përjashtuar prej VMRO_DPMNE-së i hodhi poshtë akuzat dhe ofendimet nga krerët e kësaj partie se “tetë deputetët ishin tradhtarë”, ndërsa pyeti nga foltorja kryetarin e VMRO-së Hristijan Mickovski se cilat ishin alternativat e tij, duke lënë të kuptohet nga ana tjetër se edhe ish-partia e saj në të kaluarën favorizonte një propozim identik për ndryshimin e emrit.

Para parlamentit, dhjetra protestues të mbështetur edhe nga VMRO-ja kishin bllokuar bulevardin, ndërsa lëshonin thirrje ofenduese kundër deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimi i emrit të republikës ish-jugosllave përmes amendamenteve kushtetuese pasoi marrëveshjen e 17 qershorit në Prespë midis qeverive të Shkupit dhe Athinës dhe do t’i hapë rrugën Maqedonisë drejt integrimeve më të shpejta në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Por këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm pasi parlamenti grek ta ketë ratifikuar marrëveshjen e Prespës.

Ndërkohë në Greqi vazhdon paqartësia për këtë çështje që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohëshme në vend. Kryeministri Alexis Tsipras dhe aleati i tij i së djathtës, shtynë një debat për marrëveshjen me Shkupin, duke e mbajtur çështjen pezull.

Zoti Tsipras ka thënë se do të kërkojë votëbesim nëse humb mbështetjen parlamentare të partisë së djathtë ANEL, Grekët e Pavarur e cila ka thënë se do të votonte kundër marrëveshjes me Maqedoninë nëse ajo sillet në parlament.

Reagimet pas votimit ne parlamentin e Maqedonisë

Vendimi i Parlamentit të Maqedonisë është mirëpritur nga një numër udhëheqësish ndërkombëtarë. Vendimin e kanë përshëndetur shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të jashtme, Federica Mogherini dhe Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, Kryeministri grek Alexis Tsipras, ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily, e të tjerë.

Në urimin e përbashkët të zonjës Mogherini dhe zotit Hahn vendimi cilësohet si një hap kyç për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

“Drejtuesit politik dhe qytetarët e treguan vendosmërinë e tyre për ta shfrytëzuar këtë mundësi historike për zgjidhjen e një prej problemeve më të vjetra në rajon dhe që të përparojnë kështu drejt rrugës së Bashkimit Evropian. BE-ja e mbështetë fuqishëm këtë marrëveshje, e cila krijon një shembull për pajtim në rajon dhe për Evropën si tërësi”, thuhet në komunikatën e zyrtarëve të lartë evropianë.

Ambasadori amerikan Jess Baily në një paraqitje në rrjetet sociale thekson: “Sot, Maqedonia arriti një vendim historik. Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e zyrtarëve tuaj të zgjedhur. Kur procesi të përfundojë me ratifikimin nga Greqia, kjo marrëveshje përfundimisht do të zgjedh mosmarrëveshjen rreth emrit, e cila për shumë kohë ka penguar qytetarët e Maqedonisë të realizojnë qëllimet e tyre për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

I përgëzoj drejtuesit tuaj në Qeveri dhe në Parlament për vizionin, guximin, dhe këmbënguljen e tyre për të gjetur zgjidhje dhe për të vënë në rend të parë interesat strategjike e afatgjatë të Maqedonisë. Presim me padurim që të mirëpresim Republikën e Maqedonisë së Veriut si anëtare të 30-të të NATO-s, dhe të vazhdojmë partneritetin tonë të fuqishëm me ju për të avancuar stabilitetin, sigurinë, dhe prosperitetin këtu dhe në tërë rajonin".

Ndërsa kryeministri grek Tsipras e ka uruar kolegun e tij maqedonas Zaev për “përfundimin e suksesshëm të procesit të ndryshimit të Kushtetutës mbi bazë të Marrëveshjes së Prespës”, sipas një njoftimi të qeverisë greke.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG