Lidhje

Besimtarët myslimanë në Maqedoni mbyllin muajin e Ramazanit


Besimtarët myslimanë në Maqedoni mbyllin muajin e Ramazanit
Besimtarët myslimanë në Maqedoni mbyllin muajin e Ramazanit

Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni Sulejman Rexhepi, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë në përfundim të muajit të Ramazanit theksoi nevojën për unitet, për mirëkuptim dhe tolerancë ndërfetare. Ai tha se këto janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe të popullit dhe se përbëjnë garanci të sigurtë për të ardhmen.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni Sulejman Rexhepi në përfundim të muajit të Ramazanit dha një mesazh urimi për besimtarët muslimanë me lutjet për mirëqenie dhe begati. Ai tha se gjatë këtij muaji, përmes leximit të Kuranit, faljes së namazit, përmes agjërimit dhe durimit, përmes mirësisë dhe humanitetit u dëshmuan bindjet e besimtarëve.

“Kjo ditë është festë e cilae shënon fundin e muajit të Ramazanit, muajit që paraqet periudhën më të ndritshme në kalendarin islamik gjatë të cilit besimtarët me ibadetet e tyre bënë përpjekje që t’i afrohen Krijuesit tonë, tha ai.

Zoti Rexhepi tha se nesër në ditën e Bajramit shprehet nderimi për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, në shënjën e mirësisë, përuljes dhe sakrificës. Ai vuri theksin në nevojën për unitet midis besimtarëve dhe popullit shqiptar.

“Mirëkuptimi dhe toleranca ndërfetare me të tjerët, janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe popullit tonë dhe si të tilla ato përbëjnë një garanci të sigurtë për të ardhmen tonë dhe të brezave që do të vijnë opas nesh”, tha ai.

Besimtarët ndërkohë, po përgatiten për ditën e nesërme, Bajramin e madh. Si para çdo feste në rrugët e Bit Pazarit në Shkup bëhet e vështirë të qarkullohet si për makinat edhe për këmbësorët. Këtu është tregu i gjelbër më i madh në kryeqytetin e Maqedonisë dhe çmimet janë pak më të arsyeshme për dallim nga tregjet tjera. Shitës të tjerë i nxjerrin mallrat e tyre nëpër trotuarë. Mishi, ëmbëlsirat dhe pijet freskuese janë artikujt më të kërkuar.

XS
SM
MD
LG