Lidhje

Maqedonia pas dhunës në parlament


Dhuna e djeshme në parlamentin e Maqedonisë la dhjetra të lënduar, ndër ta dy kryetarë partishë. Policia dështoi në mbrojtjen e institucionit më të lartë ligjvënës për shkak të strukturave të ndikuara nga parti politike, siç është shprehur sot ministri i brendshëm. Reagimet, përveçse nga Shkupi, vijnë edhe nga qendra të vendosjes dhe organizata ndërkombëtare të cilat kërkojnë maturi dhe uljen e tensioneve.

Zgjedhja në rrethana të jashtëzakonshme e një shqiptari për kryetar të parlamentit të Maqedonisë shfaqi një imazh të zymtë për vendin e vogël ballkanik.

Talat Xhaferi, një ligjvënës i Bashkimit Demokraik për Integrim u votua nga 62 kolegë të tij të shumicës së re parlamentare. Deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët e kanë zvarritur për më se një muaj seancën e parlamentit, luanin rolin e zhurmuesve në sallë deri sa kryheshin procedurat e marrjes së detyrës nga kryetari i ri i parlamentit.

“Të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike, betohemi që puna parësore në parlament do të jetë krijimi i institucioneve të cilat do të funksionojnë në bazë të ligjit dhe kushtetutës”, tha Xhaferi.

Mbështetësit nacionalistë të VMRO-së, të cilët për dy muaj kanë protestuar në rrugë para ndërtesës së parlamentit hynë me forcë brenda, duke ushtruar dhunë mbi ligjvënësit. Cak i sulmeve të tyre ishte Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate, bashkëpartiakë të tij, ndërsa më së keqi e pësoi Ziadin Sela, kryetar i Lëvizjes për Reforma në PDSH.

Policia dështoi ose strukturat brenda saj zbatuan plane dhe strategji të pazbuluara ende? Kjo pritet të jetë çështje hetimesh brenda Ministrisë së Rendit në krye të së cilës qëndron Agim Nuhiu, një kuadër i BDI-së, por vendimet operative i merr tjetër kush.

Një pjesë e srtukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk e kanë kryer punën e tyre për çka do të bartinpërgjegjësi. Një pjesë e të punësuarve në MPB, në vend që të respektojnë ligjet dhe të kryejnë detyrat e tyre, ka vepruar sipas urdhërave të qendrave partiake për çka duhet të ketë sanksione të ashpra”, tha Nuhiu, i cili akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë shefin e Sigurisë Publike në MPB, Mitko Çavkov për shmangien e zotimeve dhe koordinimit brenda shtabit operativ.

Zoti Nuhiu ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.

Deputetët e shumicës së re parlamentare dhe gazetarë e ekipe televizive po ashtu u evakuuan nga ekipet speciale të policisë pas disa orësh ngujimi në ambientet brenda ndërtesës së parlamentit. Ata u dërguan në spitalet e qytetit për t’u trajtuar. Disa gazetarë u mbajtën në stacione të policisë.

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar dhunën duke bërë thirrje për qetësi dhe që policia maqedonase të kryejë punën e vetë, të ndërhyjë për të marrë situatën nën kontroll.

Federica Mogherini e Bashkimit Evropian tha se ajo që ndodhi dje në Shkup është mjaft shqetësuese dhe e dhimbshme për të gjithë:

“Dhunën e vlerësojmë gjithmonë si të papranueshme, dhe aq më tepër kur ajo ndodh në shtëpinë e demokracisë, në parlament dhe ne besojmë”, tha zonja Mogherini, duke folur nga Malta, “se të gjithë në Shkup duhet të ndjekin parimet kushtetuese, demokracinë dhe ta nxjerrin vendin jashta kësaj krize të rëndë e cila mund të jetë e rrezikshme”.

Edhe Ambasada amerikanë në Shkup u bën thirrje të gjitha palëve që të të respektojnë proceset demokrate dhe ligjin, të përmbahen nga aktet e dhunës, që do të ndiznin më tej situatën. Shumica e deputetëve zgjodhi Talat Xhaferin si kryetar të parlamentit gjatë një seance të rregullt në sytë e publikut dhe mediave. Ne do të vazhdojmë të mbështesin demokracinë dhe interesat e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jens Stoltenberg, Ministria e jashtme e Gjermanisë si dhe një numër organizatash të tjera.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, ndërkohë, kërkon një takim ndërmjet drejtuesve të partive kryesore për të zgjidhur krizën përmes dialogut.

Lidhja Social Demokrate thotë se do të japin llogari të gjithë ata dhunues të cilët kanë rrezikuar jetët e deputetëve dhe “për të gjitha veprat e porositura nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së”.

“Regjimi nuk do të mund t'i ndalojë më proceset demokratike. Shumica parlamentare tani do të realizojë vullnetin e qytetarëve për një Maqedoni demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në një komunikatë të partisë.

Ndërkohë, Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së akuzon Lidhjen Social Demokrate për inskenimin siç është shprehur, të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

Edhe partitë politike shqiptare e kanë dënuar dhunën dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bëhen pre e provokimeve.

Rreth 100 vetë kanë kërkuar ndihmë mjeksore, në mesin e tyre deputetë, policë, gazetarë e protestues. Parlamenti sot nuk punon. Të hënën në Shkup pritet të vijë zëvendës ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee në përpjekje të uljes së tensioneve dhe nxitjes së reformave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG