Lidhje

Presidenti francez Emmanuel Macron viziton Kinën


Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh sot gjatë fillimit të një vizite në Kinë, se Evropa dhe Kina duhet të punojnë së bashku për iniciativën e re infrastrukturore të Kinës. Projekti synon krijimin e një “rruge të mëndafshtë” të kohërave moderne, për të cilën Presidenti francez tha se nuk mund të jetë rrugë me vetëm një drejtim.

Presidenti francez e filloi sot vizitën zyrtare në Kinë, duke u njohur me muzeumin në Xian, vendi që shërbente dikur si pikënisja e rrugës së lashtë të tregtisë.

Duke folur më pas para një audience biznesmenësh, akademikësh dhe studentësh, zoti Macron tha se “rrugët mëndafshta” nuk kanë qenë asnjëherë vetëm kineze.

“Rrugët duhet të shndërrohen në rrugë të inteligjencës, të cilat në çdo vend që kalojnë të shërbejnë si nxitje për shoqërinë civile, talentin, dhe kapacitetet novator. Këto rrugë nuk mund të jenë rrugët e një hegjemonie të re për t’i shndërruar në vasalë vendet nga kalojnë”, u shpreh Presidenti Macron.

Pas tre ditësh në Xian, zoti Macron dhe delegacioni i tij i përbërë nga udhëheqës të biznesit dhe zyrtarë do të vizitojë Pekinin.

Zoti Macron synon të arrijë “një partneritet strategjik” me Pekinin për një sërë çështjesh, si terrorizmi dhe ndryshimet klimatike, duke e bërë Presidentin kinez Xi Jingping një aleat për zbatimin e marrëveshjes së Parisit.

Projekti i ri kinez i shpallur në vitin 2013, do të lidhë Kinën në rrugë tokësore dhe detare me Azinë Juglindore, Pakistanin, Azinë Qendrore, si dhe më tej me Lindjen e Mesme, Evropën dhe Afrikën.

Zoti Xi ka premtuar 124 miliardë dollarë fonde për projektin që shikohet me dyshim nga kryeqytetet perëndimore, më tepër si një shtrirje e influencës kineze, se sa një dëshirë e Pekinit për të sjellë begati.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG