Lidhje

Macron në Bagdat; thekson mbështetjen për sovranitetin irakian


Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi takohet me Presidentin francez Emmanuel Macron në Bagdat, Irak (2 shtator 2020)

BAGHDAD - Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu mbështetje të mërkurën për një Irak sovran dhe tha se sfidat e tij kryesore janë militantët e Shtetit Islamik dhe ndërhyrja e huaj në punët e brendshme.

Franca mbështet gjithashtu përpjekjet e Kryeministrit Mustafa al-Kadhimi për të "normalizuar" të gjitha forcat e armatosura, tha zoti Macron gjatë një vizite në Bagdat, duke iu referuar kryesisht grupeve të milicisë shiite të mbështetur nga Irani.

"Do të qëndrojmë të angazhuar sepse beteja kundër Shtetit Islamik është duke vazhduar, por kjo duhet të jetë në kontekstin e një marrëveshjeje dhe protokolli që respekton sovranitetin e Irakut", tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi me zotin Kadhimi.

Vizita e zotit Macron ishte e para nga një udhëheqës perëndimor në Irak që kur zoti Kadhimi mori detyrën në maj si kreu i tretë i qeverisë në një periudhë kaotike 10-javore që pasoi disa muaj trazirash në një vend që vuan pasojat e luftës me militantët islamikë, si dhe të korrupsionit dhe rrënimit ekonomik.

Kryeministri Kadhimi u emërua në krye të një qeverie të ngarkuar me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, një kërkesë kryesore e protestuesve anti-qeveritarë të cilët organizuan muaj të tërë demonstratash vitin e kaluar. Ai i shpalli zgjedhjet për t'u mbajtur në muajin qershor.

Iraku gjithashtu është përpjekur të përballojë përplasjen e interesave rajonale të dy aleatëve të tij kryesorë, Shtetet e Bashkuara dhe Iranin.

Zyrtarët francezë kanë thënë se Parisi është i shqetësuar nga një rigjallërim në Irak të militantëve të Shtetit Islamik që përfitojnë nga pasiguria politike dhe rivalitetet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Shteti Islamik, i cili dikur pushtoi një të tretën e territorit të Irakut, është përgjithësisht i mposhtur në ato territore, por vazhdon të ngrejë prita, të kryejë atentate dhe sulme me bomba.

Presidenti i Irakut Barham Salih flet gjatë konferencës për shtyp me Presidentin francez Emmanuel Macron
Presidenti i Irakut Barham Salih flet gjatë konferencës për shtyp me Presidentin francez Emmanuel Macron

"Lufta kundër Shtetit Islamik nuk ka përfunduar ... ne do të vazhdojmë të veprojmë përkrah jush në kuadrin e koalicionit kundër Shtetit Islamik", tha zoti Macron pas takimit me Presidentin Irakian Barham Salih.

"Sfida e dytë janë ... ndërhyrjet e shumta të huaja që kanë vazhduar për disa vjet".

Zoti Macron diskutoi gjithashtu bashkëpunimin energjitik me zotin Kadhimi dhe bashkëpunimin për një projekt bërthamor që mund të zgjidhë mungesat kronike të energjisë elektrike në Irak, si dhe për mbështetjen franceze për ndërtimin e një metroje në Bagdat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG