Lidhje

Macron premton të ulë më tej taksat


Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi të enjten të ulë më tej taksat dhe tha se francezët duhet të punojnë më shumë. Ai i bëri komentet si reagim ndaj protestave anti-qeveritare që vazhdojnë prej muajsh dhe që e kanë sfiduar autoritetin e tij.

Dy vjet pas zgjedhjes president, zoti Macron është nën trysni për të ofruar politika që do t’i jepnin fund lëvizjes së "jelekëve të verdhë", pasi masat e para me vlerë prej 10 miliardë eurosh dhjetorin e kaluar nuk arritën t’i qetësonin protestuesit.

Presidenti Macron tha se synonte një ulje "të rëndësishme" në tatimin mbi të ardhurat, gjë që do të arrihej duke shtrënguar shpenzimet qeveritare. Ai tha se ndërkaq francezët do të duhet të punojnë më shumë.

Megjithëse numri i demonstruesve ka rënë që nga kulmi i lëvizjes në nëntor, të shtunën e kaluar protestuesit u përleshën me policinë për javën e 23-të radhazi.

Reagimi i së enjtes i zotit Macron është rezultat i një debati kombëtar prej tre muajsh, gjatë të cilit presidenti francez ka diskutuar në mënyrë aktive për shumë çështje, që nga taksat e larta dhe demokracia vendore e deri te degradimi i rrugëve ku qarkullojnë blerësit. Në debat kanë marrë pjesë kryetarë bashkie, studentë dhe punëtorë në vështirësi ekonomike.

Megjithatë, të enjten ai mbrojti fort shumicën e reformave që ka zbatuar qeveria e tij deri tani.

"Kam pyetur veten: A duhet të heqim dorë nga gjithçka që është bërë gjatë dy viteve të fundit? A mos kemi bërë një kthesë të gabuar? Unë besoj se është krejt e kundërta", tha zoti Macron në një konferencë shtypi, e para e presidencës së tij në Pallatin Elize.

Rebelimi i rrugës fillimisht shpërtheu për shkak të rritjes së planifikuar të taksave mbi naftën diezel nëntorin e kaluar, por u shndërrua në një reagim më të gjerë kundër pabarazisë dhe elitës politike që perceptohet se e ka humbur kontaktin me njeriun e zakonshëm.

Presidenti Macron erdhi në pushtet me premtimin për "ta transformuar Francën" dhe "për të krijuar vende pune që japin të ardhura të mjaftueshme për familjet punëtore”.

Por programi i tij ambicioz i reformave u godit rëndë nga trazirat. Reformat e pensioneve dhe të sigurimit për papunësinë të planifikuara për vitin 2019 kanë arritur pak sukses deri tani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG