Lidhje

Makina fluturuese, ëndërr apo realitet?


Makina fluturuese, ëndërr apo realitet?
Makina fluturuese, ëndërr apo realitet?

Në letërsinë fantastiko-shkencore është shkruar vazhdimisht për makina që ecin në Tokë dhe njëkohësisht fluturojnë. Por avancimi i teknologjisë ka bërë të mundur që këto mjete të bëhen realitet. Për më tepër, ato mund të përdoren nga publiku i gjerë që vitin e ardhshëm. Korrespondenti e Zërit të Amerikës Kane Farabaugh ishte në shtetin Uiskonsin, ku u takua me anëtarë të Shoqatës së Eksperimentimit të Avionëve.

Steve Saint vjen nga një familje aviatorësh. Babai i tij ka qenë pilot në zonat e thella të Amerikës Jugore dhe Steve e kaloi atje pjesën më të madhe të fëmijërisë.

"Unë e kalova fëmijërinë në xhunglën e Amazonës në Ekuador, ku nuk ka rrugë dhe atje duhet patjetër të lëvizësh me avion, përndryshe vdes."

Saint është tani themeluesi i kompanisë “Indiegenous Peoples Technology and education Center”, shkurt “I-Tec”, që u shërben njerëzve nga zonat e prapambetura, të izoluar nga pjesa më e madhe e teknologjisë.

Për të hyrë dhe për të dalë në një prej terreneve më të vështira të planetit, ai ju kthye një koncepti të vjetër që ka qenë për një kohë të gjatë në imagjinatën e njeriut: një makinë fluturuese. Shpikja e Steve Saint-it quhet “Maverick”.

"Kjo është para së gjithash makinë, por ajo edhe mund të fluturojë dhe për të mësuar ta drejtosh atë në ajër mjaftojnë vetëm dy orë.”

Maverick ecën me shpejtësi 150 km në orë në një rrugë të zakonshme. Kur përdor njërin nga krahët, ajo ngjan si parashutë, ngrihet në ajër dhe fluturon deri 100 metra lart me një shpjetësi 65 km në orë.

Ajo mundet të mos ngjitet shumë lart dhe mund të mos jetë shumë e shpejtë, por Steve thotë se ishte pikërisht kjo mënyrë funksionimi që çoi në ndërtimin e kësaj makine.

"… Që ta përdorin njerëzit në zonat kufitare, për përdorim në misione humanitare, ky është fokusi ynë kryesor, por na duhet të gjejmë edhe në SHBA një treg për këtë makinë."

Anne Dietrich, e kompanisë tjetër të makinave fluturuese, “Terrafugia”, mendon se në SHBA ekziston një treg i tillë, ku të ekperimentohet koncepti i makinës së saj, fluturuese “Transition”.

"Ne donim të tregonim që i njëjti mjet mund të fluturojë, mund të ecë në Tokë, mund të hapë krahët në një masë të arsyeshme për më pak se një minutë dhe atë mund ta parkosh në garazhin e shtëpisë."

Mjeti “Transition” vazhdon të jetë koncepti i një mjeti eksperimental, por në fakt, ajo i ka kryer provat e fluturimit.

Edhe mjeti makina tjetër, Maverick e kompanisë I-Tec ka arritur të fluturojë gjatë provave.

Ndërsa të dyja këto mjete konsiderohen si zbulime të rëndësishme për ta bërë anijen fluturuese realitet në autostradat dhe pistat e fluturimit, disa pilotë dhe pasionantë të avicionit nuk janë shumë të impresionuar për konceptet projektuara deri tani.

"Ato kurrë nuk do të jenë makina me pamje të sofistikuar, apo avionë të vërtetë, të efektshëm. Po kërkojmë shumë më duket…"

John Monnett ka themeluar kompaninë Sonex Aircraft, e cila po ndërton një lloj avioni sportiv që operon me energji elektrike.

"Kjo është një ide e re dhe koha do ta tregojë. Avionët duhet të ndërtohen me një standart ndryshe nga makinat dhe kur i gërsheton të dyja konceptet bashkë, çfarë mund të arrish? Një produkt mediokër."

Por Anne Dietrich e kompanisë Terrafugia nuk është dakord me këtë.

"Ne mendojmë se kemi arritur një lloj kompromisi që plotëson nevojat e klientëve tanë, dhe të lejon më tepër nga sa mund të arrish me një makinë, apo me një avion më vete."

Zonja Dietrich thotë se makina Terrafugia po shkon drejt fazës tjetër të ndërtimit të mjetit Transition. Ndërtimi i mjetit të parë të këtij lloji është në plan të përfundojë pas 18 muajsh dhe çmimi i një makine fluturuese kur të dale të treg, do të jetë rreth 200 mijë dollarë.

XS
SM
MD
LG