Lidhje

Malaj: Demokratizimi i partisë, kusht për qeverisje demokratike


Malaj mbi problemet ekonomike
please wait

No media source currently available

0:00 0:15:29 0:00

Ish ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Malaj, tha se pa demokratizuar partinë nuk mund të ketë një qeverisje demokratike. Në një intervistë në studion e Zërit të Amerikës, Zoti Malaj iu referua një debati të rindezur brenda Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve për kryesinë e saj. Zoti Malaj, i cili më parë ka qenë pjesë e përpjekjeve brenda PS për ta demokratizuar partinë, tha se debati nuk dëmton. Ai ka ardhur në Uashington për të marrë pjesë në ceremonitë tradicionale “Mëngjesi i Lutjeve” që zhvillohen çdo vit në kryeqytetin amerikan.

Malaj mbi problemet ekonomike
please wait

No media source currently available

0:00 0:15:29 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ekonomia shqiptare parashikohet që në vitin 2015 të jetë rritur me 2.7 për qind, megjithatë kjo rritje është më e ulët se 3 përqindshi i parashikuar fillimisht nga vetë qeveria. Ju si do ta vlerësonit rritjen ekonomike gjatë vitit 2015?

Arben Malaj: Sigurisht që rritja ekonomike në Shqipëri ka filluar të ngrihet nga pika më e ulët që pati në vitin 2013, por edhe ekspertët shqiptarë, edhe një analizë e fundit shumë e thelluar e Bankës Botërore, si të thuash paralajmëron për shqetësimin se ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri janë të ulëta edhe pse janë më të larta, janë në nivele të tilla që nuk ndihmojnë për të luftuar ato që janë si të thuash sfidat sociale më të mëdha që është papunësia dhe varfëria. Çështja më kritike është se cilat do të jenë burimet e rritjes ekonomike në të ardhmen, pas një periudhe 25 vjeçare ku faktorët që më përpara përcaktonin burimet dhe rritjen e ekonomisë shqiptare, siç duket kanë shterruar dhe duhet diçka e re.

Zëri i Amerikës: Cilët faktorë?

Arben Malaj: Ka ardhur në rënie pjesa e emigrantëve: remitancat, që ka qenë një faktor i rëndësishëm për të ushqyer konsumin. Për një kohë relativisht, pas viteve 2000, shërbeu si burim rritjeje kredia, ku për shkak të kredisë së keqe, ajo është kufizuar. Bumi që jepte sektori i ndërtimit sidomos për nevojat personale, ka ardhur në rënie dhe nuk mund të jetë i tillë, mund të ketë më shumë investime publike, por jo me të njëjtin ritëm i investimeve publike dhe atyre private.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, gjatë vitit të shkuar, u krijua një gropë e madhe në të ardhurat. Autoritetet kanë thënë se kjo situatë është krijuar për shkak të konjukturave ndërkombëtare, veçanërisht nga rënia e çmimeve të naftës e të tjera. Po shkaqe të brendshme, a ka patur, duke përfshirë edhe doganat?

Arben Malaj: Duhet të pranojmë që ka një ndikim nga faktori i jashtëm, por qeveritë në çdo vend, pikërisht këtë kanë për detyrë, kur bëjnë buxhetet afatmesme, kur bëjnë planet e zhvillimit, duhet të njohin trendin e zhvillimeve të jashtme dhe duhet të dinë se si ta kompensojnë, sepse parashikimet bëhen edhe afatmesme, por buxheti miratohet çdo vit. Sigurisht që ka ndikim të faktorëve të jashtëm, por unë mendoj se në të gjitha rastet – dhe kjo është këshilla që u jepet qeverive – është që duhen gjetur burime të tjera alternative, sepse ne duhet të realizojmë objektivin social, të kemi një rritje më të madhe, të kemi ulje të madhe të varfërisë dhe të papunësisë.

Sigurisht që ka edhe probleme dhe natyrshëm në debatin që është bërë në Shqipëri midis luftës ndaj informalitetit dhe problematikës që krijon evazioni, fokusi kryesor është tek pasojat që ka në buxhet por edhe në politikë pasoja e zezë e kontrabandës. Pra është prioritare në reforma që Shqipëria ta ulë informalitetin dhe këtë duhet ta bëjë duke pasur një fokus tek formalizimi dhe një pjesë shumë e vogël tek penalizimi, por të gjitha qeveritë duhet ta mbyllin të çarën atje ku rrjedh më shumë, atje ku mungojnë më shumë para dhe problemi i menaxhimit të financave publike tek pjesa e mallrave të akcizës, e cila duhet thënë se nuk është thjesht evazion: ka tiparet e një krimi të organizuar.

Një shqetësim është që na mungojnë paratë në buxhet, e dyta është që kjo para e zezë ka ndikim negativ në disa sektorë të ekonomisë, por ka ndikim negativ edhe në politikëbërje sepse për të ruajtur këto fitime abuzive, siç ndodh edhe në vende të tjera, siç tregojnë të gjitha eksperiencat edhe në Shqipëri edhe në vende të tjera, këta individë duan që ta ruajnë këtë normë fitimi dhe këtë nuk e realizojnë nga një konkurrim në treg.

Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se biznesi i vogël u godit përsa i përket informalitetit më shumë sesa duhej dhe u injorua biznesi i madh?

Arben Malaj: Ideja është kjo: me biznesin e vogël ne kemi rënë dakord të gjithë si ekonomistë kur kemi diskutuar, që formalizimi i ekonomisë, pagimi i taksave, detyrimi për energjinë, detyrimi për ujin, janë pjesë e një ndryshimi që ka nevojë menaxhimi publik në Shqipëri, sepse duhet një mbështetje edhe më e madhe buxhetore qoftë për arsimin, qoftë për shëndetësinë, qoftë për shtresa sociale. Por duhet të ishte bërë më i butë. Vetëm para pak ditësh shefja e FMN-së, duke parë eksperienca të tilla në disa vende, prapë tërhoqi vëmendjen se qeveritë reformatore duhet të punojnë me reforma, reformat duhen shtrirë në kohë dhe kollona kryesore nga e cila fillon një reformë është: kush goditet nga kjo? Ato shtresa që janë në kufijtë e mbijetesës, ato patjetër duan një mbrojtje sociale. Ndërsa midis informalitetit, unë do të thosha që paraja në informalitet është më demokratike, është e shpërndarë në shumë duar dhe midis kontrabandës, kjo kërkon më shumë fokus, kërkon më shumë bashkëpunim, është më i vështirë, por pa fituar këtë luftë nuk mund të kemi as elementë të mirëqeverisjes, as shëndoshje të financave publike.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ka patur mjaft debate kohët e fundit edhe për një nismë të qeverisë për një Partneritetit Publik-Privat për administrimin e Tatimit mbi Vlerën e shtuar. A mendoni se kjo është zgjidhja e duhur?

Arben Malaj: Unë besoj që po absolutizohet në Shqipëri mrekullia që mund të sjellë, dhënia me koncesion. Sigurisht që partneriteti faktor publik me faktor privat, është shumë më i gjerë sesa thjesht koncesion, ndërsa eksperiencat negative – dhe ky është qëndrimi që ne kemi mbajtur edhe si Institut, bashkë me kolegët e tjerë. Nëqoftëse qeveria është duke bërë një reformë më të plotë tek financat publike, deri tek alternativat për të bashkuar doganat me tatimet, na duhet të kemi një fokus dhe nëqoftëse kjo reformë do të kalojë në tre faza: a) kuadri ligjor që bashkon; b) kuadri institucional, si bashkohen tatimorët, doganore, që nga pika më e ulët deri në administratën më të lartë, brenda saj është edhe pjesa e IT-së. Atëherë të merremi me reformat e integruara, sesa me projekte spontane. Taksapaguesi shqiptar, biznesi shqiptar fatkeqësisht po paguan rëndë tre koncesione të para vitit 2013 në doganat shqiptare. Njëra ishte për skanimin e cila rezulton e dështuar, koha është rritur, pagesat janë rritur. Tjetra ishte për ngjyrosjen e karburanteve, tjetra ishte për pullat. Nuk ka asnjë të ardhur.

Zëri i Amerikës: Cili ka qenë fakti themelor për dështimin e tyre?

Arben Malaj: Do t’i përmbahem të njëjtit shqetësim që kemi diskutuar në atë kohë. Pikënisja shpeshëherë e këtyre konçesioneve është më tepër një përfitim afatgjatë i atyre që inicojnë se sa një ndryshim cilësor i shërbimit, kostos dhe kohës. Dhe një konçesion që nuk prodhon tre impakte pozitive, ta bëjë shërbimin sa më cilësor, ta bëjë me kohë sa më të shkurtër dhe me kosto sa më të vogël, atëherë ai nuk është më një partneritet. Kështu që është e lehtë të kuptosh që disa prej tyre kanë këtë mangësi që kur janë ideuar, skicuar etj., janë bërë një kosto e rënë edhe për ambientin e biznesin. Dhe ajo që pritej ishte që pas zgjedhjeve të 2013-ës, e para këto konçsione të skanoheshin çfarë probleme kishin, ku janë përgjegjësitë, sepse ka edhe përgjegjësi individuale përveç përgjegjësive të përgjithshme, dhe si nuk bien viktim e të njejtës absolutizim në konçesionet e tjera. Në rast të kundërt, pastaj, mund ta japim të gjithë ekonominë me konçesione. Por qytetarët votojnë për qeverinë, dhe në qoftë se konçsionet dështojnë...

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, si e parashikoni ekonominë për vitin 2016?

Arben Malaj: Unë besoj se tashmë, edhe ekonomia globale, ekonomia rajonale por edhe ekonomia shqiptare janë përfshirë në atë periudhën që nuk është shumë optimiste. Po të shikojmë ne rritjet ekonomike, ju përmendët 2015-ën, 2016-ën, po të shikojmë parashikimet edhe për dy vitet e tjera, të gjitha kanë ardhur në ulje. Pra, duhet të kemi parasysh që objektivat që kanë vënë qeveritë për rritje ekonomike, për rritje punësimi, për ulje varfërie, janë duke u tkurrur. Kjo i bënë më fragjile, edhe zhvillimet politike dhe zhvillimet sociale. Atëherë, çfarë i mbetet qeverisë në dorë? Sepse qeveritë nuk janë për t’u dorëzuar. Gjëja e parë fillon me kredibilitetin. Çdo reformë, çdo veprim, çdo aksion, duhet të japë një produkt, i cili duhet të jetë cilësor tek përfituesi fundor, te qytetari, te taksapaguesi. E dyta, duhet të ketë fokus, nuk mund të bëhen të gjitha menjëherë. Duhet që reformat e qeverisë të materializohen në tregues konkretë në jetën e përditshme. Në rast të kundërt, në qoftë se do mbetemi gjithmonë në parimin që kjo formë është më e mirë se një formë tjetër, por përfitimet reale do të duken në një kohë tjetër, kjo krijon probleme dhe e vështirëson qeverisjen. Qeveria duhet të ketë edhe vizionin por duhet të ketë edhe rezultate të matshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju disa vite më parë keni qënë pjesë e një nisme brenda Partisë Socialiste së bashku me deputetin Ben Blushi që kundërshtonit atë që e quanit stil autoritar nga ana e kryetarit të partisë, zotit Edi Rama. Debati është rindezur kohët e fundit nga zoti Blushi i cili kërkon zbatimin e rregulloreve të partisë, përshembull për rizgjedhjen e kryetarit. Ç’mendoni ju?

Arben Malaj: E para edhe për shenjë mirënjohje për misionin që ka pasur edhe Zëri i Amerikës që ka mbështetur gjithmonë zhvillimet pozitive, demokracinë. Sigurisht që kemi pasur debate në parti në atë kohë dhe normalisht tre ishin debatet kryesore: e para ndryshimi i kushtetutës pa transparencën e nevojshme dhe ekspertizën e nevojshme. Tani e kërkojnë vetë liderët e partive, por në atë kohë penalizuan brenda partive të tyre ata që ishin kundër, dhe u vërtetua se ndryshimi kushtetues nuk e mbështeti demokracinë në Shqipëri për më mirë, por krijoi pushtete absolute aq sa kryetarët e partive në debatin ditor quhen mbretër të partive të tyre. E dyta ishte qëndrimi ndaj bojkotit. Sigurisht ne ishim të shqetësuar për qeverisjen e keqe por mendonim që ndërkohë që sfida kryesore e Shqipërisë ishte integrimi evropian, Partia Socialiste mund ta harmonizonte pak më mirë qëndrimin e saj politik duke mos krijuar vonesa në procesin e integrimit. E treta dhe më kryesorja, për të dalë tek pyetja juaj, ka qënë debati jonë që pa demokratizuar partinë nuk mund të kemi një qeverisje demokratike. Shumë kolegë në atë kohë mendonin se gjëja kryesore në politikë është të fitosh pushtetin dhe për demokracinë flasim më vonë. Kështu që problemet nuk u trajtuan me përgjegjësinë që duhen dhe një pjesë e tyre tani dalin në sipërfaqe. Duke ndjekur debatin, edhe pse aktualisht unë jam më shumë i angazhuar në mësimdhënie. U kam dhënë fjalën studentëve të mi dhe kolegëve që kur fitova konkursin për të qënë profesor në Fakultetin Ekonomik, katër vjet do të jem i fokusuar në mësimdhënie. Më vjen keq që në debatin që bëhet nga disa kolegë të Partisë Socialiste këtë diskutim që bën zoti Blushi arrijnë e konsiderojnë deri në një – është investim i PD-së apo është gjuha e Berishës ose kjo zhurmë në parti po na vë në dyshim qeverisjen e vendit. Në asnjë vend të botës, në asnjë teori dhe në asnjë praktikë, zhvillimet pozitive, debatet se çfarë duhet bërë më mirë nuk e dëmtojnë një qeverisje.

Zëri i Amerikës: Më duket se Shqipëria nuk ka një përvojë dhe aq të mirë në mënyrën sesi drejtohen partitë politike nga brenda. Si mund të ndryshohet kjo kulturë?

Arben Malaj: Unë besoj që është një proces i vështirë. Fatkeqësisht trendi nuk ka qënë pozitiv vitet e fundit. Duhet më shumë angazhim, më shumë përgjegjshmëri, më shumë vet-kontribut edhe nga faktorë të tjerë socialë, shoqërorë, pjesa akademike, pjesa e kulturës, pjesa e njerëzve me influencë publike, sepse duke pritur që të modernizohen patjetër partitë politike ne do të shikojmë që nga duele do të shkojmë në duete dhe nga duete do të shkojmë në trio.

Zëri i Amerikës: Ka një stil autoritar. Zoti Blushi e kritikon kryetarin e partisë për klientelizëm, stil personal në drejtimin e partisë. Ç’mendoni ju për të gjitha këto, si do të jetë e ardhmja e kësaj partie dhe çfarë rreziqe i kanosen në rast se vazhdohet kështu?

Arben Malaj: Unë mendoj që rreziku për PS-në nuk janë debatet e brendshme. Rreziku për PS-në është stërmundimi i disa kolegëve në Partinë Socialiste për të mbyllur çdo diskutim, qoftë dhe në qoftëse nuk respektohen disa rregulla shoqërore, miqësore apo etike. Ne duhet të ndajmë kush është risku më i madh, hapja e një debati dhe një diskutimi apo mbyllja me çdo mënyrë e çdo debati dhe çdo diskutimi. Në fund të fundit, partitë politike e kanë testin e tyre në opinionin publik dhe unë nuk di nga historia ime 20 vjeçare brenda politikës shqiptare që kur ne kemi pasur debat kemi humbur. Problemi ka qënë kur faktorë të tjerë e gërryejnë qeverisjen e një vendi dhe pavarësisht sado unike të duket një parti, (PD-ja ka qënë gjithmonë unike) por ka patur ciklet e saj, sepse pikërisht është gërryer në qeverisjen e saj dhe pastaj ka paguar një kosto elektorale.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju si e ndjeni veten jashtë Partisë Socialiste dhe jashtë këtij debati?

Arben Malaj: Unë jam aktiv në debatet për t’i shërbyer taksapaguesve të vendit tim, me debatet për analizat ekonomike, sociale, si profesor apo me institutin, por nuk kam një ngutje të deformuar që të kthehem në sherret, debatet apo dhe kontributet politike. Është një vendim që e kam marrë pasi dola i pavarur dhe sigurisht nuk i shmangem detyrimit për t’i shërbyer vendit dhe e kujtoj shprehjen kurrë mos thuaj kurrë.

XS
SM
MD
LG