Lidhje

Zyrtarët malajzianë: Segmenti i takon avionit


Ministri malajzian i transportit tha se pjesë të tjera avioni janë gjetur në ishullin Reunion të Oqeanit Indian, ku javën e kaluar u zbulua një pjesë e krahut të aeroplanit që u zhduk pa gjurmë vitin e kaluar. Ministri tha se pjesët e sapo gjetura përfshijnë jastëkë, korniza dritaresh dhe mbeturina të tjera. Megjithatë, ai nuk mund të thoshte me siguri se ato i përkisnin avionit me numër fluturimi MH370 të linjave ajrore malajziane.

Sot paradite, Kryeministri malajzian Najib Razak konfirmoi se një copë krahu e gjetur në një plazh të ishullit Reunion javën e kaluar ishte pjesë e avionit Boeing 777, që u zhduk pa gjurmë 17 muaj më parë.

"Sot, 515 ditë pas zhdukjes së avionit, ju them me hidhërim të madh në zemër se një ekip ndërkombëtar ekspertësh konfirmoi përfundimisht se pjesa e gjetur në ishullin Reunion është e avionit me numër fluturimi MH370. Ne tani kemi prova fizike që, siç njoftova më 24 mars të vitit të kaluar, tregojnë se avioni përfundoi tragjikisht në pjesën jugore të Oqeanit Indian.”

Zëvendës Prokurori francez Serge MacKowiak përdori tone më të kujdesshme në komentet e tij. Ai tha se ka një supozim shumë të fortë që pjesa t’i takojë avionit me numër fluturimi MH370.

"Ky supozim i fortë do të konfirmohet nga analiza të tjera, që do të fillojnë nesër në mëngjes."

Steven Saint Amour, ekspert hetimesh për aviacionin, i tha Zërit të Amerikës me Skype se fakti që diçka nga avioni u gjet në Reunion ishte fare rastësi.

"Mund të thuhej me siguri se diçka do të dilte në breg një ditë. Por vija bregdetare është tepër e gjatë dhe është e vështirë që diçka të dalë në breg, dikush ta gjejë dhe të përcaktohet se çfarë është.”

Pavarësisht nga sa është gjetur deri tani, eksperti tha se ndoshta do të jetë po aq e vështirë sa edhe më parë të gjendet kutia e zezë e avionit në Oqeanin Indian.

Të afërmit e udhëtarëve, të cilët kanë patur qoftë edhe ndonjë shpresë të vogël, thonë se vetëm një pjesë krahu e avionit të zhdukur për ta nuk e mbyll çështjen.

"Një send i gjetur që i përket ndonjërit prej njerëzve tanë, po, ajo do të më bindte. Përndryshe një copë avioni nuk më bind,” tha njëri nga të afërmit e viktimave.

XS
SM
MD
LG