Lidhje

Vdekjet nga malaria bien ndjeshëm në rang global


Përpjekja globale për të frenuar malarien ka patur sukses të madh, sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më shumë se 3 milionë jetë janë shpëtuar deri më tani gjatë këtij shekulli, me anë të masave më të mira parandaluese dhe ilaçeve më të efektshme.

Në kuadër të luftës për t'i dhënë fund malaries dhe vuajtjeve njerëzore që ajo shkakton janë bërë hapa të mëdha që nga viti 2000. Donatorët publikë dhe privatë kanë përqëndruar përpjekjet duke financuar programe të ndryshme në vendet më të goditura, si Kenia.
Raporti i fundit për malarien i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se janë shpëtuar 3 milionë jetë, kryesisht fëmijë. Vdekshmëria pothuajse është përgjysmuar. Dr. Robert Newman drejton programin global të organizatës për malarjen.

"Ka pasur një rritje të madhe gjatë 12 viteve të fundit në financimin e përpjekjeve për kontrollin e malaries dhe kjo ka mundësuar që të blihen artikuj që shpëtojnë jetë, si rrjeta për sipër krevateve të trajtuara me insekticide me efekt të vazhdueshëm, insekticide për spërkatjen e shtëpive, teste për diagnostikim, sidomos teste për diagnostikim të shpejtë, si dhe ilaçe kundër malaries."

Malaria është një shqetësim i madh në më shumë se 100 vende, kryesisht në Afrikën nën-Sahariane, Amerikën Latine dhe Azi. Dr. Newman pret që numri i vdekjeve nga malaria të bjerë edhe më shumë gjatë 10 viteve të ardhshme.

"Mendoj se dekada e ardhshme do të sjellë një sukses të pabesueshëm, sidomos ndërsa njerëzit kuptojnë se ky është një investim për shëndetin publik me rezultate dhe se kemi ende miliona jetë të tjera njerëzish që mund të shpëtohen gjatë 10 viteve të ardhshme."

Dr. Newman parashikon se një vaksinë do të jetë gati brenda 20 vjetësh, duke ulur numrin e personave të prekur me 75 për qind.

Ekspertët thonë se pa malarie, produktiviteti do të rritet. Njerëzit do të jenë më në gjendje të sigurojnë ushqim për familjet e tyre dhe ata do të mund të shpenzojnë paratë që zakonisht përdorin për të blerë ilaçe kundër malaries për gjëra të tjera. Vendet do të mund të përqëndrohen në nevoja të tjera shëndetësore.
Dr. Joy Phumaphi është anëtare e Aleancës së Udhëheqësve Afrikanë kundër Malaries.

"Kur të mos kemi më reparte të spitaleve të dominuara nga fëmijë që vuajnë nga malaria, siç ndodh tani në shumë nga vendet ku sëmundja është endemike, do të mund të ketë më shumë burime të disponueshme për të luftuar sëmundje të tjera me të cilat këto komunitete përballen."

Sfidat në luftën kundër malaries përfshijnë një rezistencë në rritje ndaj ilaçeve kundër malaries dhe insekticideve. Por Dr. Newman thotë se ka një kërcënim edhe më të madh.

"Kërcënimi më serioz për kontrollin e malaries dhe eliminimin përfundimtar të saj është financiar."

Fondi i OKB-së për Fëmijët dhe organizata të tjera ofrojnë rrjeta për të mbuluar krevatet, një nga mbrojtjet kryesore kundër mushkonjave që bartin parazitin e malarjes. Agjencitë që ofrojnë ndihmë për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes thonë se zotërojnë vetëm gjysmën e fondeve të nevojshme.
Pa këto para, paralajmërojnë grupet, përparimi do të zhbëhet.
XS
SM
MD
LG