Lidhje

Pezullohen kërkimet për avionin malajzian


Moti keq ka detyruar pezullimin e kërkimeve për avionin e zhdukur malajzian, për të cilin autoritetet tani thonë se është rrëzuar në pjesën jugore të Oqeanit Indian.

Autoriteti australian i Sigurisë Detare thotë se valët e larta, erërat e forta dhe retë e dendura kanë penguar operacionet e avionëve dhe anijeve për kontrollimin e zonës, 2 mijë e 500 kilometra në perëndim të Perthit.

Operacionet e kërkimit do të pezullohen për 24 orë. Por zyrtarët thonë se ato do të rifillojnë nesër, pasi pritet të përmirësohet moti në atë zonë.

Mbrëmë, kryeministri malajzian Najib Razak tha se një analizë e re e të dhënave satelitore tregon se avioni ka "përfunduar" në një rajon të largët, shumë larg nga toka apo nga një pistë e mundshme uljeje.

Kryeministri Razak nuk dha hollësi mbi vendin e saktë të rrëzimit dhe nuk janë gjetur pjesë të avionit, edhe pse imazhet satelitore dhe avionët e vëzhgimit kanë parë mbetje që lundronin mbi oqean që dyshohet se mund të jenë pjesë të avionit të zhdukur.
XS
SM
MD
LG