Lidhje

Gjyqi kundër Manafortit, nesër argumentet përmbyllëse


Avokatët mbrojtës për Paul Manafort, ish-shefi i fushatës së Donald Trumpit për zgjedhjet presidenciale, nuk kanë thirrur asnjë dëshmitar dhe nuk e thirrën as të pandehurin, Manafort, për të dëshmuar në procesin gjyqësor kundër zotit Manafort për evazion fiskal e mashtrime financiare.

Gjykatësi T.S. Ellis hodhi poshtë argumentet e palës mbrojtëse që të shpalleshin të pavlefshme akuzat. Ai tha se një nga avokatët e të pandehurit si dhe një prokuror nga pala akuzuese do të paraqisnin argumentet përmbyllëse të mërkurën para se juria me 12 anëtarë të fillonte të peshonte akuzat dhe dëshmitë për të vendosur nëse Manafort do të shpallet fajtor apo i pafajshëm.

Gjykatësi e pyeti të pandehurin, 69 vjeçarin Manafort, nëse donte të paraqiste dëshmi për vetëmbrojtje. Ai u përgjigj se nuk donte. Nëse shpallet fajtor, Manafort mund të ndëshkohet me burgim të gjatë.

Prokurorët që punojnë në ekipin e Prokurorit Special, Robert Mueller paraqitën për dy javë argumente kundër Paul Manafortit duke e akuzuar se kishte fshehur miliona dollarë nga llogari bankare jashtë vendit nga fitimet që kishte bërë si lobist për ish-presidentin ukrainas, Viktor Janukoviç, vite përpara se të punonte për fushatën e zotit Trump.

Ky është procesi i parë gjyqësor i hapur si rezultat i hetimeve që po zhvillohen lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016. Për rrjedhojë, procesi ka tërhequr vëmendje të madhe nga media dhe qytetarë të thjeshtë, disa prej të cilëve kanë marrë pushime dhe vijnë në Aleksandria të Virxhinias për ta ndjekur gjyqin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG