Lidhje

Gjyqi ndaj Paul Manafort, ish menaxheri i fushatës së Donald Trumpit


Paul Manafort, ish menaxheri i fushatës presidenciale të Donald Trump-it, javën e ardhshme paraqitet para gjykatës, i akuzuar për mashtrime bankare lidhur me punën e tij në Ukrainë. Ai ka thënë se nuk është fajtor. Gjyqi ndaj zotit Manafort, që fillon më 31 korrik në Aleksandria të shtetit Virxhinia, do të ndiqet me vëmendje, ngaqë atje mund të dalin fakte të reja për fushatën e vitit 2016 të zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë. Dëshmitarët përfshijnë agjentë të FBI-së, zyrtarë të taksave dhe përfaqësues të Departamentit të Financave.

Para se t’i bashkohej fushatës presidenciale të zotit Trump në mars të vitit 2016, Paul Manafort ishte konsulent dhe lobist në Uashington. Emri i tij nuk ishte shumë i njohur. Para zëvendësimit në gusht të vitit 2016, ai ishte menaxheri i fushatës së zotit Trump, në atë kohë i emëruari si kandidat presidencial i republikanëve.

"Paul Manafort ka bërë një punë të shkëlqyer.”- pati thënë atëhere Trump.

Përgjegjësia e re e zotit Manafort tërhoqi vëmendjen e medias për bizneset e tij jashtë vendit, sidomos për punën e tij si konsulent i ish presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovich.

FBI-ja e ka patur nën vëzhgim zotin Manafort që nga viti 2014. Vitin e kaluar, agjentë të FBI-së e bastisën shtëpinë e tij, si pjesë e hetimit që po zhvillohej ndaj Prokurorit Special Robert Mueller, për mundësinë e bashkëpunimit të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Për këtë arsye, ndaj tij u ngritën një numër akuzash dhe në qershor të këtij viti ai u burgos, për pengim të drejtësisë dhe ndërhyrje tek dëshmitarët.

Pa humbur kohë, Trump e minimizoi rolin e Manafortit në fushatën e tij:

"Paul Manafort, apo firma e tij ka punuar për mua vetëm për një kohë të shkurtër. Ai ka punuar për Ronald Reaganin, për Bob Dole-in, për John McCain-in. Ai ka punuar për një numër republikanësh të tjerë. Për mua ai punoi 49 ditë, ose diçka e tillë. Për fare pak kohë,” – tha Trump.

Ish ndihmësi i biznesit i zotit Manafort dhe zëvendës menaxheri i fushatës Trump, Rick Gates, ka pranuar fajësinë për përpjekje për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe se ka gënjyer hetuesit. Tani ai është duke bashkëpunuar me një hetim federal lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhje.

Prokurorët thonë se Manafort, me ndihmën e zotit Gates, ka pastruar para me vlerën e më tepër se 30 milionë dollarëve dhe se i ka përdorur fondet nga llogari bankare sekrete jashtë vendit, për të patur një jetë luksoze. Asnjëra prej akuzave kundër zotit Gates, apo Manafort, nuk lidhen me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Rusia ka mohuar ndëryrjen në zgjedhje. Ukraina gjeti dokumente, ku premtoheshin pagesa me shumën e më tepër se 12 milionë dollarëve në kesh nga Partia pro-ruse e Rajoneve. Por nuk ka fakte që Manafort t’i ketë marrë paratë.

"Emri i zotit Manafort është në të ashtuquajturën “lista e zezë” e Partisë së Rajoneve. Sipas kësaj liste, më tepër se 12 milionë dollarë janë shpenzuar për të mbuluar shpenzimet që lidhen me këtë person, që nga 20 nëntori 2007. Dokumenti i fundit në librin e llogarive që lidhen me zotin Manafort është më 5 tetor 2012."- thotë zyrtarja a Byrosë Anti-korrupsionit e Ukrainës.

Manafort ka mohuar të ketë marrë pagesa në para kesh. Gjyqi ndaj tij do të ndiqet me kujdes, ngaqë atje mund të zbulohen fakte të reja nga rreth 30 dëshmitarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG