Lidhje

Prokurorët: Manafort "besonte se ishte mbi ligjin"


Në SHBA, gjyqi ndaj ish-shefit të fushatës presidenciale të zotit Trump, Paul Manafort, hyri në ditën e dytë. Sipas prokurorëve Manafort besonte se ishte mbi ligjin, duke përdorur llogari bankare në parajsat fiskale për të menaxhuar miliona dollarë që kishte fituar si këshilltar i politikanëve në Ukrainë.

Në gjykatën federale pranë Uashingtonit, ku zhvillohet gjyqi ndaj zotit Manafort, avokatët mbrojtës ia hodhën fajin partnerit të tij të biznesit.

Sipas prokurorëve, Manafort "besonte se ishte mbi ligjin". Prokurorët thanë se ai "gënjeu agjencinë e taksave" dhe "me vetëdije paraqiti deklarata të rreme për taksat", duke mos raportuar dhjetëra miliona dollarë që fitoi kur punonte për një parti politike ukrainase, e cila kishte lidhje të thella me Rusinë.

Prokurorët e akuzojnë zotin Manafort për fshehje parash në llogaritë bankare të hapura në parajsa fiskale. Sipas tyre, ai kishte më shumë se 30 llogari në 3 vende dhe përdorte para kesh për "të financuar stilin e tij të shtrenjtë të jetesës”.

Këtu, sipas tyre, përfshiheshin shtëpi luksoze, kostume të shtrenjta dhe një xhaketë me lëkurë struci që kushtonte 15 mijë dollarë.

Gjithsej, zoti Manafort përballet me 18 akuza për krime financiare.

Ky është gjyqi i parë që rrjedh nga hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për lidhjet e mundshme midis fushatës Trump dhe Rusisë, por prokurorët thonë se çështja e përfshirjes së Rusisë në zgjedhje nuk do të trajtohet.

Presidenti Trump ndërkohë po distancohet nga njeriu që dikur drejtonte fushatën e tij.

"Paul Manafort ka punuar për mua për një periudhë shumë të shkurtër kohe", tha Presidenti.

Dëshmitari kryesor i prokurorit të posaçëm Mueller në këtë gjyq është ish-partneri i biznesit të zotit Manafort, Rick Gates, i cili ishte zëvendës kreu i fushatës presidenciale të kandidatit Trump.

Në shkëmbim të dëshmisë së tij, zoti Gates ka pranuar fajësinë për komplot dhe për deklarata të rreme.

Avokati i zotit Manafort tha se Rick Gates “është gati të pohojë gjithçka për të shpëtuar veten.”

Zoti Manafort nuk ka pranuar fajësi për asnjërën prej akuzave, por nëse shpallet fajtor, mund ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, ose mund të falet nga ish shefi i tij, Presidenti Trump.

Shtëpia e Bardhë thotë se një mundësi e tillë nuk është diskutuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG