Lidhje

Maqedoni e Veriut, shtyhet regjistrimi i popullsisë


Census 2021, North Macedonia

Kryeministri Zoran Zaev dhe drejtuesi i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së ranë dakord të hënën që të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë dhe që opozita të zhbllokojë punimet e parlamentit.

Regjistrimi që brenda vendit duhej të zhvillohej nga 1 deri më 21 prill, tani do të shtyhet për në vjeshtë, nga 5 deri më 30 shtator.

Ndërkohë, diaspora që tanimë po regjistrohet përmes një aplikacioni në internet do të vazhdojë regjistrimin deri në përfundimin e censusit në shtator.

Procesi shtyhet me kërkesë të opozitës për shkak të gjendjes me koronavirusin dhe për t'u dhënë kohë regjistruesve të imunizohen.

Ndërkohë, do të shmanget bllokimi i parlamentit dhe do të miratohen një sërë ligjesh që kanë të bëjnë me ekonominë, pandeminë dhe me integrimin e vendit në Bashkjimin Evropian.

Zoti Zaev, i cili është kryetar i Lidhjes Social Demokrate, tha se është konsultuar me partnerët e koalicionit qeveritar, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe me Lëvizjen Besa dhe ka marrë pëlqimin e tyre. Ai tha se do të takohet edhe me drejtuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe të Alternativës.

Maqedonia e Veriut nuk ka pasur regjistrim popullsie që nga viti 2002.

Dy drejtuesit e partive më të mëdha maqedonase, Zaev dhe Mickovski thanë pas takimit se kanë rënë dakord edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor; që zgjedhjet vendore të planifikuara për në pjesën e parë të muajit tetor, të shtyhen për në pjesën e dytë të tetorit; që në këto zgjedhje të aplikohet përdorimi i pajisjes për gjurmët e gishtërinjëve gjatë votimit.

Ata propozuan që në zgedhjet parlamentare të radhës të dilet me lista të hapura dhe nëse bien dakord edhe partitë tjera, që vendi të shndërrohet në një zonë të vetme zgjedhore, nga gjashtë që janë aktualisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG