Lidhje

Gjyqi për vrasjen e 5 maqedonasve shtyhet për në 9 janar


Në hapje të gjyqit sot, avokati i të akuzuarve, Agim Ismailoviç, Fejzi Haziri, Rami Sejdi e Haki Haziri kërkoi të ketë qasje tek të gjitha dëshmitë

Procesi gjyqësor kundër katër të akuzuarve për vrasjen e pesë maqedonasve të rinj në muajin prill të këtij viti, filloi sot në gjykatën Themelore të Shkupit. Por me kërkesë të palës mbrojtëse të të akuzuarve procesi u shty për në 9 janar.

Avokati i të akuzuarve Agim Ismailoviç, Fejzi Haziri, Rami Sejdi dhe Haki Haziri ka kërkuar që të ketë qasje tek të gjitha dëshmitë. Poashtu është kërkuar që të akuzuarit të mund të mbrohen në gjuhën e tyre amtare – në gjuhën shqipe, sipas ligjit. Gjykatësi vendosi që dy të arratisurit Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviç të gjykohen në mungesë.

Avokati Naser Raufi thotë se është i bindur se të akuzuarit nuk janë fajtorë dhe se mungojnë provat e prokurorisë.

Forca të mëdha të sigurisë ishin shpërndarë në afërsi të Gjykatës ku mbahej procesi, ndërsa masa të rrepta kontrolli poashtu ishin vendosur brenda në gjykatë.

Të ndaluarit dhe të arrestuarit në rastin e njohur si “Monstra”, në fillim nga ministrja maqedonase e Rendit u quajtën si grup terrorist që i përkisnin grupeve radikale islamike, por në aktakuzë nuk përmendet më islamizmi radikal.
XS
SM
MD
LG