Lidhje

BE bën thirrje për qetësi në Maqedoni


Bashkimi Evropian bëri sot thirrje për vetëpërmbajtje në Maqedoni, pas një jave protestash në gjithë vendin ku kërkohej dorëheqja e menjëherëshme e kryeministrit Nikola Gruevski dhe zgjedhje të parakohëshme.

“Kemi ndjekur me shqetësim përplasjet e motivuara politikisht të dy ditëve të fundit brenda dhe përreth parlamentit dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalin menjëherë veprimet agresive dhe provokuese”, tha në Bruksel zëvendës zëdhënësi i shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian Sebastien Brabant.

Protestat kanë vazhduar në Shkup pas protestave më të vogla në gjithë vendin provokuar nga një incident javën e kaluar, kur opozita u nxorr nga parlamenti pas një mosmarrëveshjeje dhe një sherri lidhur me buxhetin e vitit 2013.

“Bashkimi Evropian u bën thirrje drejtuesve të të gjitha partive politike dhe simpatizantëve të tyre që t’u japin menjëherë fund këtyre përplasjeve dhe të veprojnë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën dhe në bazë të procedurave të pranuara parlamentare, duke marrë parasysh interesin e qytetarëve që përfaqësojnë”, tha zoti Brabant në një konferencë për shtyp.

Qeveria kishte propozuar një buxhet prej 3.2 miliardë dollarësh për vitin 2013, duke parashikuar një defiçit prej 3.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Parashikimi për rritjen ishte 2 për qind e këtij prodhimi.

Por opozita e majtë e dënoi propozimin për buxhetin si të tepruar, në një kohë vështirësish financiare dhe kërkoi shkurtime që kapnin vlerën deri në rreth 260 milionë dollarë. Qeveria nuk pranoi dhe opozita paraqiti rreth 1 mijë amendamente për projekt-buxhetin, para se të shpërthenin tensionet.

Qeveria e bëri votimin për buxhetin me pak më shumë se gjysmën e deputetëve të pranishëm, duke e bërë opozitën që të fillonte një fushatë mosbindjeje qytetare.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni pritet të mbahen në vitin 2015.

Maqedonia aspiron anëtarësimin në BE dhe NATO por është penguar nga mosmarrëveshja me Greqinë në lidhje me emrin e vendit.

Brenda vendit ka gjitahshtu tensione mes shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare.
XS
SM
MD
LG