Lidhje

Maqedonia e Veriut, masa të reja lehtësuese


Shkup, Maqedoni e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e së martës miratoi masa të reja lidhur me ndalim-qarkullimin dhe lehtësime të tjera që kanë të bëjnë me koronavirusin. Ora policore, duke filluar nga 13 maji do të shkurtohet dhe do të fillojë në mesnatë dhe do të zgjasë deri në orën 4 të mëngjesit. Qytetarët në të gjithë vendin do të kenë, pra dy orë më tepër leje të lëvizjes se sa deri tani. Kjo masë do të vlejë deri më 18 maj kur mund të merret një vendim i ri, ose do të vazhdohet masa e njëjtë.

Do të zgjatet po ashtu orari i punës së restoranteve dhe objekteve gastronomike. Ato do të mund të punojnë deri në 23:30, por vetëm në tarraca, në ambient të hapur.

Nga e mërkura do të hapen palestrat e sportit dhe këndet e fëmijëve por me protokoll të përshtatur për pandeminë, që nënkupton mbajtjen e maskave. Organizimet kulturore, shkencore e argëtuese lejohen me 30 përqind të kapacitetit në ambientet e mbyllura dhe me 50 përqind në ambiente të hapura, teksa ngjarjet sportive vazhdojnë të mbahen pa praninë fizike të publikut.

Maqedonia e Veriut është ndër vendet më të prekura nga pandemia e Covid-19 jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Ndonëse shifrat e të diagnostikuarve po bien në shtatë ditët e fundit, numri i vdekjeve megjithatë mbetet shqetësues. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 26 viktima, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 5 135 që nga shpërthimi i virusit në vend. Mbi 154 mijë persona rezultojnë të infektuar që nga marsi i vitit të kaluar, ndërsa 10 308 mbeten raste aktive.

Nga ana tjetër, vaksinimi po shkon mirë, sipas autoriteteve shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bën thirrje që qytetarët të paraqiten përmes aplikacionit në internet për të marrë vaksinën, teksa shkruan në rrjetet sociale se interesimi për çdo ditë po rritet. “Më shumë vaksina kemi në dispozicion dhe deri tani janë vaksinuar 121 181 qytetarë”, shkruan ministri. 23 862 persona kanë marrë dozën e dytë, ndërsa 303 574 qytetarë kanë aplikuar për t’u vaksinuar.

Qeveria ka vendosur për hapjen e tre qendrave të tjera të vaksinimit në qytetet e Prilepit, Strumicës dhe Velesit që do të shërbenin si qendra rajonale të vaksinimit, ashtu siç shërben tashmë Tetova për rajonin e Pollogut ku mesatarisht jepen nga një mijë doza në ditë.

Maqedonia e Veriut është furnizuar me 200 mijë vaksina kineze Sinopharm, disa mijëra vaksina Pfizer që po arrijnë si donacion i BE-së, prej nga duhet të vijnë 119 mijë doza deri në muajin gusht, si dhe një sasi prej disa mijëra dozash Sputnik V të dhuruara nga Serbia fqinje, ndërsa deri në fund të muajit maj, sipas autoriteteve, pritet të arrijnë 500 mijë doza Sinovac.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG