Lidhje

Maqedonia e Veriut: Shkon në 259 numri i viktimave nga COVID-19


Klinika infektive

Koronavirusi për po merr çdo ditë disa jetë njerëzish në Maqedoninë e Veriut, ndërsa autoritetet kanë vendosur që nga e premtja të bëjnë hapjen e plotë, duke lejuar punën edhe brenda restoranteve, hapjen e kufijve pa kushte, aeroportet dhe një sërë lehtësimesh të tjera.

8 viktima janë regjistruar në 24 orët e fundit dhe 136 raste të reja me COVID-19. Dy nga pacientët që nuk i mbijetuan sëmundjes janë nga Shkupi, po aq dhe nga Tetova e Kumanova dhe nga një në Kërçovë e Veles. Viktimat janë të moshës nga 47 në 78 vjeç. Numri i të vdekurve gjithsej është 259.

Numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 5445 që nga paraqitja e pandemisë. Prej tyre, 2091 rezultojnë të shëruar, ndërsa 3.095 mbeten raste aktive. Më së shumti janë regjistruar në Shkup, përkatësisht në komunën Çair, të banuar me shumicë shqiptare. Pothuaj se të gjitha qytetet dhe zonat e Maqedonisë së Veriut janë prekur nga virusi, përveç tre-katër qyteteve te vogla në lindje të vendit.

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit janë shëruar 43 pacientë. Nga ana tjetër, Kryeministri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski u tha gazetarëve se vendimi për hapjen e kufijve nuk duhet të keqpërdoret për synime politike “sepse vendimi është marrë mbi bazë të kritereve shëndetësore dhe jo politike”. Reagimi ka pasuar shkrimet në një pjesë e shtypit maqedonas se Komisioni i sëmundjeve infektive të ketë thënë se nuk ka rekomanduar hapjen dhe heqjen e më shumë masave.

Lehtësimet do të mundësojnë që nga e premtja, 26 qershor, shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe të huajt që do të hyjnë në këtë vend të mos kenë nevojë të dëshmojnë testin PCR negativ në vendkalimet kufitare. Ndërkohë, masat dhe protokollet për mbrojtje nga koronavirusi vazhdojnë të jenë në fuqi, ndonëse në shumë raste ato nuk përfillen. Një gjobë për mosmbajtjen e maskës së fytyrës në vende publike është 20 euro dhe deri në 2.000 euro shkojnë gjobat për shkelje të tjera më të rënda të urdhërave, siç është shpërfillja e vendimit për izolim apo vetëizolim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG