Lidhje

Në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare


Në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme që shumë analistë shpresojnë se do të shpejtojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rreth 1.8 milionë njerëz kishin të drejtën të hidhnin votën për zgjedhjen e 123 deputeteve të parlamentit me mandat katër vjeçar.

Pretedentët kryesorë në këto zgjedhje janë koalicioni i 24 partive i udhëhequr nga kryeministri konservator Nikolla Gruevski dhe partia e majtë Lidhja Socialdemokrate e zotit Branko Cervenkovski.

Anketat parazgjedhore tregonin se koalicioni i zotit Gruevski ishte në krye të garës por shumë vëzhgues besojnë se nuk do të arrijë të fitojë shumicën e mjaftueshme për të krijuar qeverinë.

Zgjedhjet kaluan në një atmosferë kryesisht të qetë. Pjesmarrja e votuesve në zgjedhje ishte mjaft e lartë. Sipas të dhënave deri në ora 18 kjo shifër në shkallë vendi arrinte në 54% sipas të dhënave zyrtare të KSHZ por mendohet se deri në përmbylljen e procesit shifrat të kenë kaluar 65%.

Megjithatë, në zonën zgjedhore numër gjashtë ku ka më shumë banorë / votues shqiptarë dalja ka qenë më e ulët se në të gjitha zonat tjera, rreth 47%.

Shtabet e partive kanë filluar të komentojnë në lidhje me procesin. Opozita si ajo shqiptare edhe maqedonase janë ankuar dhe kanë akuzuar zyrtarë të partive në pushtet dhe pjesëtarë të policisë për krijimin e parregullsive.

Megjithatë, sipas komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve i cili drejtohet nga një personalitet i afërt me LSD të opozitës dhe i propozuar nga opozita për këtë post, parregullsitë janë të vogla dhe në përgjithësi zgjedhjet kanë kaluar në një frymë demokratike dhe paqësore.

Ndër parregullsitë që thekson Komisioni, por dhe shoqata qytetare Most e cila i ka ndjekur zgjedhjet me mbi katër mijë vëzhgues vendas, janë të natyrës si agjitacioni afër qendrave të votimit apo në raste më të shpeshta fotografimi i votës me aparat celular nga ana e vetë votuesve që konsiderohet shkelje e ligjit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se për këto lloj shkeljesh pasojnë ndëshkime serioze.

Nga shoqata Most mund të priten të dhëna më të shpejta por jo para orës njëmbëdhjetë të mbrëmjes lidhur me votat e fituara nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje dhe numrat e deputetëve të tyre.

Qendrat analitike siç quhen shtabet partiake këtu, mbase pas mesnate do të dalin me shifrat dhe rezultatet e tyre, që natyrisht nuk janë valide por në mënyrë tradicionale janë shumë afër të dhënave që i jep Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve një ditë më pas.

Kryetarët e shumicës së partive shqiptare ishin bartës të listave në njësinë zgjedhore numër gjashtë që përfshin Tetovën dhe Gostivarin.

Maqedonia ndahet në gjashtë njësi zgjedhore dhe siecila dërgon nga njëzet deputetë në Parlament. Njësia e gjashtë zgjedhore nxjerr më së shumti deputetë shqiptarë - 16 apo 17.

Gjithashtu, në këto zgjedhje do të ketë edhe tre deputetë nga diaspora. Madje sipas partisë VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski të tre vendet i ka fituar kjo parti.

Diplomatët perëndimorë kanë vëzhguar me kujdes procesin. Ambasadori amerikan Filip Rikër ka vizituar disa qendra votimi në lagje të Shkupit dhe vendbanime në rrethin e Tetovës. Komuniteti ndërkombëtar ka inkurajuar votuesit që të dalin lirshëm të votojnë pa pasur frikë.

ODIHR-i dhe organizatat tjera si Këshilli i Evropës, Asamblea Parlamentare e OSBE-së dhe dhjetra ambasadorë e diplomatë të tjerë përbënin numrin prej 440 vëzhguesve të huaj. Të hënën ata do të deklarohen në lidhje me mënyrën se si kanë kaluar zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG