Lidhje

Marijuana mjekësore në Kaliforni


Marijuana mjekësore ka qenë e ligjshme në Kaliforni që nga viti 1996, sipas ligjit të shtetit. Por substanca mbetet e paligjshme sipas ligjit federal amerikan. Kalifornezët po debatojnë mbi kufijtë e përdorimit të marijuanës, duke pritur që Uashingtoni të trajtojë çështjen.

Në Oakland të Kalifornisë – qendra më e madhe e marijuanës mjekësore në Shtetet e Bashkuara – klinika Harborside paguan miliona dollarë çdo vit për taksat shtetërore e lokale dhe ka mbështetjen e zyrtarëve të qytetit. Kjo qendër mjekësore ka shpenzuar gjithashtu shuma të mëdha për të luftuar përpjekjet e bëra nga zyrtarët federalë për ta mbyllur atë. Por, bashkëthemeluesi i saj Steve DeAngelo thotë se lëvizja për legalizimin e marijuanës në mbarë vendin ka filluar.

"Pyetja e vërtetë është, si do të bëhet legalizimi? Si do të jetë kjo industri e re? Cilat do të jenë rregullat ligjore për të?"

Në Los Anxhelos, pikat e shitjes të marijuanës janë përhapur shumë, sa që edhe përkrahësit thonë se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit. Receta për marijuanë mjekësore mund të merret nga doktori për një dhimbje të zakonshme koke apo prej pagjumësisë dhe qyteti ka më shumë 1 mijë pika shitjeje pa leje.

Anëtari i Këshillit Bashkiak Bill Rosendahl thotë se marijuana e ka ndihmuar të përballojë pasojat e sëmundjes së kancerit. Ai mbështet një projektligj të quajtur Propozimi D, një nga tre masat për të cilat do të votohet në zgjedhjet e muajit maj. Ligji do të pakësonte pikat e shitjes së marijuanës së Los Anxhelosit në vetëm 135 dhe zoti Rosendahl thotë se kështu do të mbrohej dhe rregullohej një industri që e ka ndihmuar atë.

"Ndihem i fortë. Ndjej se kam një jetë të gjatë përpara dhe dua të falënderoj marihuanën mjekësore që e bëri të mundur."

Sondazhet tregojnë se 70 për qind e kalifornezëve e mbështesin marijuanën mjekësore. Një shumicë e ngushtë mbështet legalizimin e plotë të saj, siç ka ndodhur në shtetet Uashington dhe Kolorado. Por marijuana është kudo e paligjshme sipas ligjeve federale.

Marijuana e sotme është e fuqishme dhe përmban sasi më të mëdha të elementit psikoaktiv THC, thotë psikologu Steve Freng, që punon për qeverinë federale në Seattle me programet e trajtimit të drogës.

"Sot, marihuana nuk është e njëjta si në kohën kur isha në shkollë të mesme dhe universitet. Atëherë ajo ishte në thelb një lloj bari meksikan, që nëse kishe fat, mund të ishte 3 deri në 5 për qind marihuanë me THC."

Disa lloje marijuane sot kanë 15 ose 20 për qind THC dhe, ashtu si në rastin e alkoolit, ka probleme me abuzimin nga të miturit dhe përdoruesit e tjerë.
Por debati nuk ka të bëjë me ndalimin e saj, thotë Steve DeAngelo.

"Çështja nuk është më nëse kanabisi do të legalizohet apo jo. Madje pyejta nuk shtrohet as lidhur me kohën se kur, sepse ne tani jemi në atë moment."

Ai thotë se është fjala se si do të legalizohet kjo substancë. Vendi pret të shohë se si zyrtarët federalë do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.
XS
SM
MD
LG