Lidhje

SHBA, Ligjet federale dhe legalizimi i marijuanës


Departamenti i Drejtësisë pritet të njoftojë të enjten shfuqizimin e politikave të administratës së presidentit Obama që zbusnin zbatimin e ligjeve federale kundër marijuanës, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh shtetesh po miratojnë legalizimin e saj.

Nën administratën e presidentit Obama, marijuana konsiderohej si një “drogë e rrezikshme”, por qëndrimi i administratës ishte t’ia linte në dorë shteteve të hartonin rregulla për kufizimet e përdorimit të saj, si dhe t’i zbatonin me rreptësi kufizimet në këtë drejtim.

Vendimi i ri, sipas burimeve që kanë njohuri për të, u jep të drejtë prokurorëve federalë në shtetet që e kanë legalizuar marijuanën, të vendosin vetë se sa ashpër do ta zbatojnë ligjin federal, që e ndalon marijuanën.

Ky ndryshim qëndrimi nga administrata e presidentit Trump, bëhet disa ditë pas legalizimit të marijuanës në Kaliforni, shteti me popullsinë dhe ekonominë më të madhe në Amerikë.

Veç Kalifornisë, përdorimi i marijuanës për qëllime argëtimi lejohet edhe në 7 shtetete të tjera dhe në Distriktin e Kolumbias, ndërsa për nevoja vetëm mjekësore lejohet në 29 shtete.

Rregullat e reja pritet të japin më shumë qartësi se si do të zbatohen ligjet federale që e ndalojnë marijuanën, në shtetet që e kanë legalizuar përdorimin e saj për argëtim ose nevoja mjekësore.

Rregullat e reja po ashtu pritet të krijojnë tensione mes zyrtarëve lokalë dhe agjencive federale ligj-zbatuese.

Prokurori i Përgjithshëm, Jess Sessions, është shprehur hapur kundër marijuanës duke thënë se ajo nuk duhet legalizuar. Sipas tij marijuana është hapi i parë për ata që kalojnë në përdorimin dhe vartësinë ndaj opioidëve.

Departamenti i Drejtësisë e klasifikon marijuanën njësoj si heroina dhe kokaina.

Sipas anketave të fundit, shumica e amerikanëve e mbështesin legalizimin e marijuanës, e cila është shndërruar në një industri shumë milionë dollarëshe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG