Lidhje

Tubim proteste në mbrojtje të gazetarit


Në një intervistë për Zërin e Amerikës, vetë gazetari Marin Mema, tha se Greqia ka shkelur konventat për lëvizjen e lirë

Në Tiranë, Unioni i Gazetarëve protestoi sot përpara ambasadës greke kundër ndalimit të një gazetari shqiptar për të hyrë në Greqi. Policia kufitare greke nuk lejoi gazetarin Marin Mema të televizonit Top Channel të kryente një vizitë private në Greqi, madje duke i deklaruar se ai përbën një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit fqinj.

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë organizoi një tubim përpara ambasadës së Greqisë në Tiranë për të protestuar ndaj vendimit të autoriteteve greke për të mos lejuar gazetarin Marin Mema të televizionit Top Channel që të udhëtojë në Greqi.



Drejtuesi i këtij unioni, Aleksandër Çipa, thotë se ky vendim është i paprecedent. Nga ana tjetër unioni ka konstatuar se në asnjë shkrim apo raportim të tij televiziv gazetari mema nuk ka qenë i dhunshëm, nuk ka përdorur fjalor fyes, nuk ka nxitur urrejtje dhe as reagime nacionaliste ndaj, palëve, grupeve, apo pakicave të ndryshme.

“Vendimi i autoriteteve greke është i paprecedent, të paktën në harkun kohor të 5 viteve të fundit në mbarë hapësirën ballkanike, dhe aq më pak në vendet e Bahkimit Europian. Ne kërkojmë nga autoritetet greke ta rishikojnë këtë vendim, i cili është në vetvete një fyerje dhe cënim i integritetit dhe i së drejtës legjitime që ka një komunitet profesionistësh. Rastin e gazetarit Mema e konsiderojmë si një rast të vlefshëm për qëndrimin e gjithë komunitetit tonë profesional” - tha ai.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, vetë gazetari Marin Mema, tha se Greqia ka shkelur në mënyrë flagrante konventat për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Mema shpjegoi se oficeri në kufirin grek i njoftoi vendimin e autoriteteve të vendit të tij menjëherë pasi kishte marrë pasaportën.

Duke kërkuar arsye mbi pamundësinë e kalimit për në vendin fqinj, gazetari Mema tha se kishte marrë si përgjigje faktin se ai cilësohej “një person me rrezikshmëri për shtetin grek.” Sipas zotit Mema, oficeri i kufirit i tha se ai konsiderohej “person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme në Greqi.”

Zoti Aleksandër Çipa tha se përmes një letre të hapur gazetarët shqiptarë do t’i drejtohen presidentit, kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Greqisë për të rishikuar atë vendim dhe për ta anulluar atë. Protesta dhe letra të ngjashme do t’u drejtohen edhe autoriteteve shqiptare. Gazetarët shqiptarë i kanë shkruar edhe të gjithë organizatave të gazetarëve grekë të reagojnë kundër këtij vendimi që ndalon gazetarët të lëvizin të lirë. Po ashtu, zoti Çipa tha se unioni i gaztarëve shqiptarë do t’i shkruajë edhe presidentit të BE-së Baroso.

“Një letër e posaçme nga Unioni i Gazetarëve shqiptarë do t’i drejtohet kreut të bashkimit Europian, presidentit Baroso, dhe presim që në ditët e ardhme të kemi regime nga shoqata dhe organizata prestigjoze të gazetarëve për këtë rast, i cili është vërtet i paprecedent” - tha zoti Çipa.

Ndërkaq Organizata e Mediave të Europës Juglindore, SEEMO, dënoi policinë kufitare greke për ndalimin e hyrjes së gazetarit shqiptar. Në një deklratë nga Viena organizata thotë se gazetari shqiptar Marin Mema i televizionit Top Channel po shkonte për një vizitë private në Greqi, kur policët e ndaluan të hynte, duke iu referuar një raporti të tij një vit me parë. SEEMO, Organizata e Gazetarëve të Europës Juglindore u kërkoi autoriteteve greke të shpjegojnë shkaqet e vërteta të këtij ndalimi dhe u kujtoi atyre se reporterët lejohen të udhëtojnë kudo edhe si qytetarë të thjeshtë edhe si gazetarë.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate të gazetarëve, Oliver Vujoviç, theksoi në deklaratë se policia kufitare greke ka shkelur në këtë rast disa standarte ndërkombëtare mbi lëvizjen e lirë të gazetarëve, dhe se shtypi i lirë nuk mund të ndalohet nga kufijtë e shteteve. “Greqia është një vend i Bashkimit Europian, tha zoti Vujoviç, dhe këto veprime të policisë kufitare greke duhen hetuar dhe shpjeguar edhe nga Këshilli i Europës dhe nga OSBE”.
XS
SM
MD
LG