Lidhje

Marina amerikane drejt biokarburanteve


Disa anëtarë të Kongresit thonë se ky është një gabim, pasi ushtria amerikane po përballet me shkurtime buxhetore

Marina e Shteteve të Bashkuara do të zbatojë planet e saj për të përdorur biokarburante të shtrenjta për shumicën e flotës së saj, pavarësisht kundërshtimit nga anëtarë të Kongresit që thonë se kjo është një gjë e gabuar për t’u bërë në një kohë kur ushtria amerikane përballet me afro 500 miliardë dollarë shkurtime në buxhet.

Këtë vit, Marina e SHBA-së ka një mesazh të veçantë për më shumë se 20 vendet flotat e të cilëve marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët në brigjet e Hawaiit, në oqeanin Paqësor: Është koha për t’u kujdesur për mjedisin.

Bashkë me anijet e tjera do të jetë edhe ajo që Marina e Shteteve të Bashkuara quan "Flota e Madhe e Gjelbër" e anijeve të saj që përdorin karburant prej burimesh të rinovueshme si alga, bar, dhe yndyra e kafshëve.

Gjatë muajve të fundit, marina është përpjekur të demonstrojë se si biokarburantet mund të transformojnë ushtrinë dhe të bëjnë të mundur atë që Sekretari i marinës Ray Mabus cilëson si një tranzicion larg burimeve të energjisë, në pjesë të paqëndrueshme të botës.

"Arsyeja kryesore që ne, në marinën detare, jemi duke shkuar drejt energjisë alternative është se kjo do të na bëjë luftëtarë më të mirë gjatë luftrave, do të pakësojë vartësinë tonë ndaj naftës së importuar, do të forcojë sigurinë dhe pavarësinë energjitike për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe për marinën e Shteteve të Bashkuara."

Administrata e Presidentit Obama kërkon që gjysma e flotës së marinës të përdorë biokarburant brenda vitit 2020 dhe të bëhet një forcë kryesore në zhvillimin e tregut të biokarbureve - në mënyrë të ngjashme me ushtrinë, e cila në të kaluarën ka shërbyer si zhvilluese e teknologjive të ndryshme si GPS, kompjuterat, dhe telefonat celularë.

"Forcat Ajrore synojnë të marrin gjysmën e karburantit të brendshëm nga burime alternative, brenda vitit 2016. Dhe unë jam duke i kërkuar marinës dhe Departamentit të Energjisë dhe Bujqësisë të bashkëpunojnë me sektorin privat për të krijuar biokarburante të avancuara që të mund të përdoren jo vetëm nga avionët luftarakë, por edhe nga kamionët dhe mjetet fluturimit të linjave ajrore civile."

Por çmimi i biokarburanteve, i cili është rreth 7 herë më i lartës se ai i karburanteve të zakonshme, ka bërë që të ketë shumë kundërshtime nga anëtarë të Kongresit, që thonë se ky është një shpërdorim fondesh, në një kohë kur Pentagoni përballet me shkurtime të thella buxhetore.

David Kreutzer është një analist i energjisë në Fondacionin Heritage.

"Biokarburantet do të kushtojnë më tepër dhe nuk do të sjellin ndonjë përmirësim të operacioneve. Nuk do të ketë shtim të kapaciteteve të energjisë, por përkundrazi, do të ketë rënie. Ne mund të sigurojmë më shumë karburant nga prodhimi i brendshëm dhe me kosto më të ulët në vend që të zhvendosim marinën drejt biokarburanteve. Ne mund t'i përdorim ato fonde për pajisje, materiale dhe personel."

Përpjekjet për të ndryshuar marinën janë tashmë në zhvillim e sipër. Anija U.S.S. Makin Island, e para anije sulmi hibride e marinës, përfundoi së fundmi udhëtimin e saj inagurues.

Mesazhi për mjedisin është dhënë gjithashtu nga avionët e famshëm të marinës Engjëjt Blu, që demonstruan fuqinë e biokarburanteve në një shfaqje ajrore të kohëve të fundit.

Me fondet e shkurtuara për ushtrinë, biokarburantet - tani për tani - mund të përdoren ndoshta vetëm gjatë paradave.
XS
SM
MD
LG