Lidhje

Amb. Lino: Shqipëria, SHBA kanë të përbashkët idealet e lirisë


Ish-ambasadorja thotë se Shqipëria do të jetë gjithmonë një vend shumë i veçantë për të

Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rol parësor për të mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por marrëdhëniet e mira mes dy vendeve e kanë zanafillën më herët. Shqiptarët e shohin me mirënjohje Presidentin amerikan Woodrow Wilson, të cilin e konsiderojnë si mbrojtësin e egzistencës së shtetit të tyre. Kjo mirënjohje u thellua më tej me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për shpëtimin e Kosovës nga spastrimi etnik i regjimit të Millosheviçit dhe më pas kur ato u bënë mbështetëset kryesore të pavarësisë së saj. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, Zëri i Amerikës do të vazhdojë t’ju sjellë mesazhe përshëndetjeje nga ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991. Dhe ndërsa Shqipëria feston më 28 Nëntor 100 vjetorin e pavarësisë, vetëm një javë më pas, më 4 dhjetor, mbushen 90 vjet nga vendosja e marrëdhënieve të para diplomatike me Amerikën në vitin 1922. Në vazhdim mund të lexoni përshëndetjen e zonjës Marisa Lino, e cila ishte ambasadore në Shqipëri nga viti 1996 deri në vitin 1999.



Ishte nder i veçantë të përfaqësoja Shtetet e Bashkuara në Republikën e Shqipërisë gjatë disa prej viteve më të vështira të historisë pas komuniste të saj.

Shqiptarët kanë një trashëgimi krenare dhe i përkasin një civilizimi të hershëm, ata janë luftëtarë trima, që, sipas traditës së Skënderbeut, luftojnë kundër shtypjes – sot, kjo do të thotë që Shqipëria është përkrah Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të NATO-s në Afganistan. Shqiptarët janë të njohur për bujarinë dhe mikpritjen, tipare që pata rastin t’i shoh nga afër gjatë fluksit të madh të refugjatëve nga Kosova në vitin 1999. Shumë shqiptarë hapën dyert e shtëpive dhe strehuan njerëz të panjohur që po i largoheshin shtypjes – ashtu siç shqiptarët kishin bërë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po ashtu unë pata rastin të shoh shpirtin shqiptar të pavarësisë, që çoi në shpalljen e pavarësisë nga Perandoria Osmane 100 vjet më parë, e mbështetur me krenari nga Presidenti Udrou Uilson. Në historinë më moderne, i njejti shpirt pavarësie ka çuar në krijimin e shumë partive politike dhe në konflikt politik, në periudhën pas viteve 1990 e deri sot.

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njejtat ideale për lirinë. Në Shtetet e Bashkuara ne kemi punuar për t’i kthyer këto ideale në realitet për më shumë se 200 vjet dhe ende nuk i kemi arritur të gjitha synimet tona. Shqiptarët kanë qënë të lirë të punojnë për këto ideale për një kohë shumë më të shkurtër, kështu që kur njerëzit më pyesin në se unë jam optimiste për të ardhmen e Shqipërisë, unë përherë përgjigjem PO. Shikoni sa shumë keni arritur.

Nëse shqiptarët e thjeshtë janë aq bujarë sa të mirëpresin të huajt, unë kam besim se klasa politike shqiptare do ta gjejë rrugën e saj drejt të ardhmes, ndonëse shpresoj që për këtë nuk do të duhen 100 vjet të tjerë. Kam vetëm një gjë tjetër që dua shtoj: unë lashë një pjesë të zemrës time në Shqipëri dhe ky vend do të jetë përherë shumë i veçantë për mua.

Urime të gjithë shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG