Lidhje

Marshimi në Uashington


E premtja shënoi përvjetorin e Marshimit në Uashington të vitit 1963, gjatë të cilit udhëheqësi amerikan për të drejtat civile Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin e tij "Unë kam një ëndërr" në shkallët e Memorialit të Linkolnit. Megjithëse turma për marshimin e 2020-tës ishte më e vogël se sa pritej, mijëra njerëz dolën për të protestuar ndaj vrasjeve nga policia të afrikano-amerikanëve, që ata thonë se janë një trashëgimi e skllavërisë dhe racizmit që vendi ende po përpiqet të kapërcejë.

Pesëdhjetë e shtatë vjet pas Marshimit në Uashington, aktivistët e drejtësisë racore u mblodhën edhe një herë në Uashington, D.C, në vazhdën e protestave në të gjithë vendin kundër dhunës policore ndaj afrikano-amerikanëve.

Asnjëherë nuk e morëm nënshtetësinë. Asnjëherë nuk u dëmshpërblyem. Vijmë tek Linkolni sepse ju premtuat zoti Linkoln dhe premtimi është thyer. Dhe vijmë siç erdhi Dr. King 57 vjet më parë për të thënë se jemi lodhur nga premtimet e shkelura", tha pastori Al Sharpton, udhëheqës i të drejtave civile.

Al Sharpton, tek Memoriali i Linkolnit
Al Sharpton, tek Memoriali i Linkolnit

Pjesëmarrësit ishin nga mbarë vendi ...

"New Castle, Pensilvani"

"Polk City, Florida"

"Unë jam nga Cleveland, Ohio"

"Unë jetoj në Connecticut", thanë disa pjesëmarrës.

...Ata erdhën me autobuzë, trena dhe makinat e tyre për të marrë pjesë në atë që e quajnë një moment historik mes pandemisë COVID-19.

"Jam rritur në vitet ‘60 dhe ‘70, kur ishim të integruar me forcë. Mendova në atë kohë, edhe pse isha shumë e re, të merrja pjesë në atë që po ndodhte, ndërsa njerëzit dilnin në mbrojtje të të drejtave civile. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte. Dhe kështu, të shohësh që edhe sot, në vitin 2020, kemi probleme me racizmin dhe pabarazinë, dhe të drejtën për të votuar, është shqetësuese për mua", thotë pjesëmarrësja Adrienne Gordon.

Vrasjet nga policia të afrikano-amerikanëve janë bërë një çështje e fuqishme politike në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Breonna Taylor, George Floyd dhe të tjerë që vdiqën në arrest policor, kanë bërë që shumë të kërkojnë ndryshime në sistemin policor të vendit.

"Ka të bëjë me ndalimin e brutalitetit të policisë që po ndodh. Ka të bëjë me ndërgjegjësimin e njerëzve për të votuar. Kjo është e drejta jonë. Prandaj kjo është arsyeja pse unë jam këtu. Pa drejtësi, nuk ka paqe. Dhe kjo është ajo që duam. Drejtësi dhe paqe", thotë pjesëmarrësi Derrick Jeter.

Anketat e opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve besojnë se afrikano-amerikanët dhe pakicat e tjera nuk trajtohen njësoj si të bardhët në sistemin e drejtësisë penale. Anketimet tregojnë gjithashtu se gjysma e vendit mbështet lëvizjen Black Lives Matter (Jetët e Afrikano-Amerikanëve Kanë Rëndësi).

"Do të duhen amerikanë nga të gjitha prejardhjet e ndryshme etnike për ta bërë këtë realitet, për t'u dhënë të gjithëve Premtimin e Amerikës", thotë pjesëmarrësi Ricardo Williams.

Protestat Black Lives Matter pritet të vazhdojnë gjatë javëve të ardhshme ndërsa fushata presidenciale i afrohet fazës së saj të fundit dhe aktivistët përpiqen të kanalizojnë lëvizjen e tyre të protestimit në rrugë drejt politikave dhe ligjeve të reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG