Lidhje

Dita e dytë e mbylljes së qeverisë amerikane


Një tabelë njofton mbylljen e Librarisë së Kongresit, pas fillimit të mbylljes së pjesshme të qeverisë federale

Duke fajësuar njëri-tjetrin për ngërçin politik, ligjvënësit republikanë dhe demokratë e kaluan ditën e dytë të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane me pak shenja për arritjen e një marrëveshjeje. Presidenti Donald Trump shtoi sot presionin ndaj Kongresit, duke sugjeruar në Twitter se republikanët në Kongres duhet të përdorin të ashtuquajturin “opsion nuklear”, duke ndryshuar rregulloren që kërkon shumicë absolute për miratimin e ligjeve kryesore. Presidenti gjithashtu shkruajti në Twitter se "është e mrekullueshme të shikosh se sa fort po luftojnë republikanët për ushtarakët tanë dhe për sigurinë në kufij. Demokratët duan vetëm emigrantë të paligjshëm që të hyjnë në vendin tonë pa kontroll".

Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve ka planifikuar të mblidhen sërish sot. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, tha se ka futur në axhendën e punimeve sot pas mesnate një seancë votimi, për të mundësuar miratimin e një ligji që do të mbante në funksionim qeverinë amerikane deri më datë 8 shkurt.

“I ftoj kolegët e mi nga i gjithë spektri të bashkohen dhe të bëjnë atë që është e përgjegjshme dhe e drejtë për popullin që përfaqësojmë. Është shumë e qartë. Ejani të rihapim qeverinë. Le të rifillojmë diskutimin dypartiak për financimin e forcave tona të armatosura, programin DACA, shpenzimet e qeverisë dhe për të gjitha prioritetet duke gjetur një zgjidhje së bashku”, deklaroi Senatori McConnell.

Senatorët lëvizën gjatë gjithë ditës ndërmjet zyrave të njëri-tjetrit duke u munduar të arrijnë një marrëveshje.

Megjithatë, Senatorja demokrate Tammy Baldwin kundërshton serinë e ligjeve për financimin e përkohshëm të shpenzimeve qeveritare, duke u shprehur se “kështu thjesht i shtyjmë gjërat për më vonë dhe nuk arrijmë asgjë për popullin amerikan”.

Senatori demokrat Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës në Senat, fajësoi dje sërish Presidentin Donald Trump.

“Negocimi me këtë Shtëpi të Bardhë është pothuajse i pamundur. Sapo bën një hap para, forcat e së djathtës e shtrëngojnë Presidentin të bëjë tre hapa prapa”, tha Senatori Schumer.

Shtëpia e Bardhë dhe republikanët në Kongres fajësuan demokratët për mbylljen e qeverisë dhe i akuzuan se vlerësojnë emigrantët e paligjshëm më shumë se amerikanët e ligjshëm.

“Për të patur progres në këtë front, zoti Schumer duhet ta rrisë nivelin e lojës së tij dhe të jetë më i sinqertë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara”, tha Mick Mulvaney, Drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.

Autorizimi për shpenzimet qeveritare skadoi të premten në mesnatë, duke filluar kështu ngrirjen e funksioneve jothelbësore të qeverisë federale.

Ligjvënësit kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, si për shpenzimet për mbrojtjen dhe emigracionin, në veçanti trajtimin ligjor të rreth 800 mijë personave pa dokumenta që janë sjellë në SHBA kur ishin fëmijë.

Agjensitë federale ndërkohë po përgatiten për të dërguar përkohësisht në shtëpi punonjësit federalë, si dhe për të ndalur shumicën e operacioneve të tyre, nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në orët e para të së hënës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG