Lidhje

Ligjvënësit kërkojnë strategji të qartë për Sirinë


Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë vazhdon prëpjekjet për të bindur ligjvënësit amerikanë se Kongresi duhet të miratojë veprimet ushtarake kundër qeverisë së Sirisë, Presidenti Obama dje u takua me dy senatorë republikanë me ndikim, mbështetja e të cilëve është shumë e rëndësishme.

Për çështjet e sigurisë kombëtare, veçanërisht ato që përfshijnë Lindjen e Mesme, Presidenti Obama është konsultuar shpesh me senatorin John McCain, të cilin ai e mundi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

Senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham janë në mesin e ligjvënësve të cilët për më shumë se dy vjet kanë kërkuar një reagim më të fuqishëm amerikan ndaj luftës civile në Siri. Edhe tani pas sulmit me armë kimike të 21 gushtit në Damask ata po bëjnë thirrje për një reagim më të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara ndaj qeverisë siriane.

Në atë që ai e quajti një shkëmbim të "sinqertë" me presidentin, senatori McCain tha se ai theksoi rëndësinë e eliminimit të aftësive të regjimit të Asadit dhe përmirësimin e atyre të rebelëve sirian.

"Ne duam një objektiv të qartë i cili me kalimin e kohës do të eliminonte aftësitë e Bashar al- Assadit dhe do të përmirësonte kapacitetet e Ushtrisë së Lirë Siriane dhe qeverisë së Lirë Siriane në mënyrë që ata të mund të ndryshojnë vrullin e luftës që aktualisht nuk është në favor të tyre sepse ata nuk kanë marrë ndihmën e nevojshme."

Senatorti Graham foli për arritjen e një "konsensusi" për forcimin e opozitës, ndërkohë që dobësohen kapacitetet e qeverisë së Assadit.

"Unë shpresoj se gjatë ditëve të ardhshme ne do të mësojmë më shumë rreth kësaj strategjie dhe kur të vijë koha për të votuar në Senat administrata (e presidentit Obama) do të ketë një plan përveç veprimit të kufizuar ushtarak i cili do të tregojë orientimin e vendit tonë në këtë rajon, që duhet të ketë si synim parandalimin e marshimit të Iranit drejt prodhimit të armëve bërthamore dhe stabilizimin e rajonit para se të bëhet tepër vonë."

Asnjëri prej tyre nuk dha hollësi se si besojnë ata që presidenti Obama do të dal me një strategji të përmirësuar.
Senatori McCain tha se administrata e presidentit Obama do të duhet të punojë më shumë për të bindur amerikanët skeptik, përfshirë sigurimin e tyre se nuk do të dërgohen trupa tokësore në Siri. Ai përsëriti shqetësimin e tij në lidhje me efektet mos miratimit të rezolutës për përdorimin e forcës në Siri nga ana e Kongresit.

"Pasojat do të ishin katastrofike pasi besueshmëria e këtij vendi si me miqtë ashtu edhe me armiqtë do të dëmtohej, dhe kjo nuk do të kishte pasoja vetëm për këtë administratë, por edhe për administratat e ardhshme."

Takimi dhe seancat e vazhdueshme të informimimit me ligjvënësit janë pjesë e një përpjekjeje agresive të administratës për të pakësuar skepticizmin në mesin e anëtarëve të të dy partive rreth qëllimit dhe efektivitetit të një sulmi ushtarak.

Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel sot pritet të dëshmojnë para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Kongresi zyrtarisht rifillon punën më 9 shtator pas disa javë të pushimeve verore.
XS
SM
MD
LG