Lidhje

McCain: SHBA duhet të rikonfirmojë angazhimin në Ballkan


Senatori republikan John McCain, bëri thirrje për rikonfirmimin e angazhimit amerikan dhe evropian në Ballkan, për të cilin tha se megjithëse ka përparuar ndjeshëm që nga konfliktet e vitit 1990, ende ka vështirësi dhe paqendrueshmëri të konsiderueshme. Senatori nga Arizona, kryetar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura tha se ky angazhim do të ishte kritik për t’i bërë ballë ndërhyrjes ruse në rajon.

I kthyer së fundmi nga një turne në rajon, senatori McCain përmendi si sfida për rajonin e Ballkanit krizën në Maqedoni, drejtimin e Serbisë pas zgjedhjeve presidenciale, dhe rolin e islamizimit radikal.

“Shqetësimi im është se ndërsa vëmendja jonë është zhvendosur tek Rusia, tek Ukraina, tek Lindja e Mesme, tek Kina, nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur, madje as evropianët nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Ballkanit”, tha ai.

Senatori McCain tha se është e qartë që rusët po përpiqen të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon.

“Përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi, është një shembull i qartë. Ishte një përpjekje për përmbysjen e një qeverie të zgjedhur të një vendi”, tha ai.

Rusia e ka cilësuar anëtarësimin e pritshëm të Malit të Zi në NATO si provokim, për shkak të afërsisë gjeografike të vendit me Rusinë. Kremlini prej kohësh e konsideron Ballkanin si pjesë të sferës së saj të ndikimit.

Faktin që Rusia po zgjeron influencën, ai ia atribuon mungesës së udhëheqjes amerikane dhe evropiane, në zonën që ai thotë se mendohet të jetë më e paqendrueshmja në Evropë.

“Ne luajtëm rol në zgjidhjen e konflikteve atje, që shkaktuan humbje jete dhe duket se vitet e fundit jemi tërhequr dhe ky është një shembull tjetër i nevojës absolute për rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara”.

Senatori McCain shprehu veçanërisht shqetësim për situatën politike në Maqedoni, duke thënë se nuk është në interesin e askujt që ajo të shpërbëhet dhe tha se në këto kushte tensionesh, është i nevojshëm roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

“Jam shumë i shqetësuar për Maqedoninë dhe nuk po parashikoj një luftë botërore dhe as konflikt por po them se tensionet po rriten dhe gjendja po keqësohet dhe ka nevojë për udhëheqje amerikane dhe evropiane”, tha ai.

Ai shprehu mbështetjen për vazhdimësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të nxitur pajtimin, sepse nuk mund t’u shërbesh popujve të vendeve të tua nëse i mban plagët e vjetra të hapura, sepse ata meritojnë të ardhmen dhe jo të kthimin tek e shkuara”.

Zoti McCain nuk u përgjigj direkt për zërat për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, nëse dështon projekti i BE-së por tha se donte të shihte më shumë përparim drejt zbatimit të standardeve nga dy vendet dhe se ka parë si në Kosovë edhe Shqipëri, një dëshirë të madhe për integrim në BE.

Lidhur me udhëheqësin serb Aleksandar Vuçiç, zoti McCain tha se ai ka një balancë delikate përpara përsa i takon marrëdhënieve me Rusinë nga njëra anë dhe BE-në nga ana tjetër, por shtoi se ai e di që popullsia serbe është më shumë pro-evropiane.

Senatori amerikan tha se një një tjetër drejtim ku Ballkani është eksploziv, janë përpjekjet e islamizmit radikal për të bërë për vete shumë nga popullsitë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG