Lidhje

Me fitimet e naftës që vërshojnë drejt Rusisë, korrupsioni është në nivele rekord


Алексей Навальный
Алексей Навальный

Me fitimet e naftës që vërshojnë drejt Rusisë, korrupsioni është në nivele rekord. Organizata Transparency International e radhit Rusinë në një grup me Kamboxhian dhe vendet e Afrikës Qendrore. Por një avokat 34 vjeçar po e sfidon këtë dukuri.

Duke punuar në laptopin e tij, Alexei Navalny është kritiku më i madh i korrupsionit në Rusi. Normalisht, kjo është një punë pa rezultat këtu në Moskë. Transparency International e radhit Rusinë si ekonominë më të madhe të korruptuar në botë. Por ky është një vit zgjedhjesh në Rusi. Korrupsioni jashtë kontrollit radhitet në krye të listës së shqetësimeve të klasës së mesme ruse.

"Korrupsioni në Rusi është kudo. Ngado që shkon dhe prek gjithkënd. Kjo është arsyeja që të gjithë janë të interesuar të shohin betejën time me korrupsionin".

Kremlini kontrollon me rreptësi televizionet në Rusi. Por Navalny përdor internetin, që është ende i lirë. Vjeshtën e kaluar, ndërsa Navalny ishte student vizitor në Universitetin Yale, ai publikoi dokumenta në blogun e tij duke pretenduar të tregonte se zyrtarët në Transneft, kompania shtetërore e naftës në Rusi kishte vjedhur 4 miliardë dollarë të destinuara për ndërtimin e naftësjellësit të parë të Rusisë për Kinën. Blogu i tij regjistroi 1 milion vizitor.

"Unë publikova korrupsionin e tyre dhe brenda dy ditësh më shumë se 1 milion njerëz i kishin lexuar dokumentat. Disa mijëra njerëz komentuan dhe media filloi të shkruaj rreth kësaj. Ka disa gjëra që qeveria nuk mund t’i injorojë".

Në faqen e tij elektronike, Navalny e quan Rusinë e Bashkuar, partia e kryeministrit Vladimir Putin, partinë e hajdutëve dhe mashtuesve. Këtë javë, erdhi reagimi. Mijëra sulme virusësh bllokuan hyrjen në faqen elektronike Live Journal të Navalny-t. Elena Panfilova drejton zyrën e Transparency International në Rusi. Ajo thotë se interneti lejon Navalnyn të tërheqë mijëra përkrahës në fushatën e tij kundër korrupsionit.

"Është kurajoja personale dhe mënyra e të kuptuarit. Besoj se njerëzit e mbështesin dhe e inkurajojnë. Ai ka një sens të shkëlqyer për të gjetur informacione dhe nuk e tepron".

Zyrtarët rus kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Presidenti Dmitri Medvedev, i cili pritet ta pozicionojë veten si një reformist në zgjedhjet presidenciale të marsit tjetër, po flet tani kundër korrupsionit.

Në një takim të transmetuar në televizionin kombëtar më 30 mars ai paralajmëroi zyrtarët shtetëror: “Korrupsioni e ka kapur ekonominë për fyti”. Transneft, kompania shtetërore e naftës, ka shkuar në një drejtim tjetër, duke e hedhur Navalnyn në gjyq.

Igor Demin, zëdhënës i kompanisë i tha Zërit të Amerikës se shifra e akuzës për mungesën e 4 miliardë dollarëve erdhi nga ajo që ai e quan gazetari dembele. Në një vend ku gazetarët e guximshëm dhe avokatët përfundojnë zakonisht të vdekur, Navalny thotë se nuk do të stepet.

"Nuk kam frikë.. po të kisha frikë nuk do i isha futur kësaj pune. E kuptoj ku jetoj. Jam i gatshëm ta bëj këtë, dikush duhet ta bëj. Nëse të gjithë do të kishin frikë, do të bëhej e vështirë për ne të jetonim".

Navalny thotë se i ka dhënë bashkëshortes një listë me numra telefonash në se ai zhduket ndonjë ditë.

XS
SM
MD
LG