Lidhje

SHBA, ushtarakut të vrarë në Afganistan i jepet Medalja e Nderit


Një ushtarak amerikan u nderua pas vdekjes për trimërinë e tij të jashtëzakonshme, duke shpëtuar shokët e njësisë gjatë luftimeve kundër terroristëve të Al Kaidas në Afganistan. Presidenti Donald Trump kryesoi ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë për rreshterin e Forcave Ajrore, John Chapman.

Rreshterit Chapman iu dha Medalja e Nderit e Kongresit, dekorata më e lartë dhe më prestigjioze e ushtrisë amerikane, për veprimet e tij heroike në orët përpara se të vritej, më 4 mars 2002. Presidenti Trump ia dorëzoi medaljen familjes.

“Jemi mbledhur këtë pasdite për të nderuar një luftëtar të rënë, një luftëtar të mrekullueshëm”, tha Presidenti Trump.

Rreshteri Chapman u vra së bashku me gjashtë ushtarakë të tjerë gjatë luftimeve ndaj Al Kaidas. Ai u plagos rëndë gjatë luftimeve dhe humbi ndjenjat në malin Takur Ghar, por e vazhdoi betejën pasi u përmend. Njësia e tij u përball me armiqtë në mbrojtje të një helikopteri Chinook që po afrohej për të ndihmuar.

“John u përball me armikun për të mos i lejuar që të godisnin helikopterin dhe personelin tonë ushtarak”, tha Presidenti Trump.

Aktet e tij të fundit të trimërisë ndodhën pasi mendohej se kishte vdekur. Ai u vra më vonë nga dy plumba të kalibrit të madh, ndërsa çante dëborën që kishte mbuluar luginën malore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG