Lidhje

Mediat sociale transformojnë ndjekjen e debateve


Sipas një studimi, një në dhjetë amerikanë e ndoqën debatin e parë presidencial duke lexuar njëkohësisht lajme në internet

Kompjuterat dhe pajisjet teknologjike të dorës po transformojnë shpejtësinë dhe mënyrat me anë të të cilave votuesit marrin informacionet në lidhje me kandidatët. Mediat sociale në internet si Twitter dhe Facebook janë duke zëvendësuar në mënyrë të vazhdueshme burimet tradicionale të informacionit, për një brez të ri votuesish.

Ndërsa përgatitet për zgjedhjet e këtij viti, studentja e Universitetit Center College, Kelly Bolton, e cila ndodhet në mjediset ku u zhvillua debati zv/presidencial, po merr informacione politike jo nga televizioni apo burimet tradicionale të lajmeve, por në mënyrë të menjëhershme, mes telefonit të saj.

"Mund të mësosh se çfarë po ndodh dhe kur po ndodh. Kjo është edhe më e rëndësishme gjatë një sezoni zgjedhjes, pasi mund të dish se çfarë thonë sondazhet, apo nëse Romney thotë diçka apo nëse Obama thotë diçka."

Informacioni vjen në telefonin e saj nëpërmjet faqeve në internet të mediave sociale si Facebooku dhe Twitteri, popullariteti i të cilave është rritur ndërkohë që më shumë amerikanë zotërojnë pajisje portative.

Qendra Kërkimore Pew tha se gjatë debatit të parë mes presidentit Barak Obama dhe sfiduesit të tij republikan, Mitt Romney, një në dhjetë amerikanë e ndoqën debatin duke lexuar njëkohësisht lajme rreth tij në kompjutera ose në pajisjet e tyre portative.

"Ne u mblodhën rreth një televizori për të parë debatin. Por të gjithë kishin edhe telefonat nëpër duar, sepse në qoftë se Mitt Romney do të thoshte diçka, dhe ne republikanëve do të na pëlqente, ne donim ta dërgonim atë me Twitter."

"Twitteri i ka shndërruar krejtësisht përmasat e bisedës rreth zgjedhjeve."

Adam Sharp i kompanisë Twitter thotë se trafiku në faqen e tyre të internetit shkon nga rreth 1 mijë mesazhe në minutë në mbi 100 mijë gjatë debateve. Me anë të grafikëve të mesazheve në Twitter, ai mund të analizojë se si debatet janë duke u pritur nga publiku amerikan, në mënyrë të menjëhershme.

"Një ose dy breza më parë, mund të na duhej të prisnim gazetën e mëngjesit të ardhshëm, për të mësuar se çfarë ndodhi këtë mëngjes gjatë fushatës. Sot, në Twitter, jemi në gjendje të ndjekim ngjarjet ndërsa ato zhvillohen, dhe mund t’u qëndrojmë më afër kandidatëve dhe aktiviteteve në kohë reale."

Merle Hansen është një pensionist shtatëdhjetë vjeçar, që ka ndjekur çdo debat që nga viti 1960. Ai ende preferon të marrë informacionet nga gazetat dhe nuk ka në plan të fillojë të përdorë Twitterin.

"Nëse do të bisedosh me mua, më telefono. Jam i gatshëm për biseda, por nuk më pëlqen të shkruaj mesazhe apo gjëra të ngjashme."

Studenti Kenyon Cook e kupton këtë pikëpamje.

"Them se është më e lehtë për të rinjtë, sepse njohin teknologjinë."

Po ashtu edhe studentja e Universitetit Center College, Kelly Bolton.

"Nëse pyesni prindërit e mi, ata do t’ju thonë se nuk e dinë aspak se çfarë është një iPhone, çfarë është Twitteri apo si të përdorësh Facebookun."

Por edhe kjo po ndryshon. Kelly thotë se babai i saj po krijon faqen e tij në Facebook, duke iu bashkuar kështu rreth një miliard njerëzve në mbarë planetin, përfshirë zotin Mitt Romney dhe Presidentin Barack Obama. Zgjedhjet e këtij viti mund të jenë një provë mbi mënyrën se si këto burime të reja informacioni do të ndikojnë tek rezultati.
XS
SM
MD
LG