Lidhje

Media shqiptare në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit


Dita Botërore e Lirisë së Shtypit i gjen shumë nga mediat shqiptare të kompromentuara prej marrdhënieve të ngushta me qarqet politike. Redaktori i njohur i lajmeve në tv Top Channel, Mentor Kikia, njëkohësisht edhe veprimtar i shoqërisë civile, thotë se “urdhëri qeveritar ndaj adminstratës për mospaditjen e gazetarëve ka ulur rëndësinë e mediave në sytë e opinionit publik. Reagimi ndaj shkrimeve të tyre është shumë i dobët. Mediat po u ngjajnë përherë e më tepër zyrave të shtypit të partive politike dhe institucioneve, duke përcjellë njoftimet e tyre” - thotë ai.

Nga ana tjetër, analisti i njohur Lutfi Dervishi, thotë se bashkë me teknologjitë e reja edhe autocensura është rritur mjaft. “Bashkëpunimi i medias me politikën është aq i madh saqë cdo veprim i politikës bëhet në televizion. Është krijuar telepolitika; politika për hir të televizionit, dhe nëse politika nuk del në media, ajo nuk ka rëndësi. Po ashtu një pengesë tjetër janë vështirësitë ekonomike” - thotë ai.

Një tjetër gazetar i njour, kryeredaktori i gazetës Shqip, Aleksandër Çipa, thotë se “mediat shqiptare janë në një gjendje të rëndë për shkak të informalitetit dhe politizimit të skajshëm. Ka rënë ndjeshëm vëmendja dhe reagimi ndaj çështjeve që ngre media, por edhe vetë shtypi pengohet nga autocensura dhe presionet”.

Shqipëria renditej disa më parë midis vendeve me liri të pjesshme shtypi, ndërsa raporti vjetor i departamentit amerikan të shtetit për të drejtat e njeriut vëren se media shqiptare “ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar; megjithatë, pati raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi të, përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve”. Ky raport thekson se “presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan në disa raste median e shkruar të pavarur, dhe gazetarët raportuan se kishin ushtruar gjerësisht autocensurë”.

Në raportin vjetor të departamentit amerikan të shtetit për të drejtat e njeriut thuhet se gazetarët vazhduan ankesat se botuesit dhe redaktorët censurojnë punën e tyre drejtpërdrejt ose tërthorazi në përgjigje të presioneve politike apo të biznesit; po ashtu mungesa e kontratave të punës për gazetarët shpesh i pengon për të raportuar në mënyrë objektive.

XS
SM
MD
LG