Lidhje

Media shqiptare pjesërisht e lirë, komentojnë studiuesit


Organizata “Freedom House” sapo ka publikuar një raport mbi lirinë e shtypit në botë, ku Shqipëria renditej e 103-ta, midis vendeve me media pjesërisht të lira.

Raporti u prit me reagime të ndryshme në Tiranë nga studiues të mediave, të cilët dhanë më shumë detaje mbi krizën shumvëvjeçare të shtypit shqiptar.

Raporti për lirinë e medias në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Profesorë të fakultetit të gazetarisë dhe komunikimit në Universitetin e Tiranës pohojnë se vlerësimi i Freedom House është i saktë dhe konfirmohet edhe nga studimet e tyre.

“Tek ne ka një zhvendosje të statuseve: pronari shpesh herë bën kryeredaktorin, kryeredaktori bën censorin, gazetari zëvendësohet nga spikeri ose nga analisti, analisti zëvendësohet nga propagandisti, propagandisti merr urdhër nga politikani. Media shqiptare, një media gjysmë e lirë, është e tillë prej politikës dhe presioneve të saj” - tha prof. dr. Artan Fuga, pedagog i gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Mediat shqiptare ka shumë probleme të natyrave nga më të ndryshmet, thonë studiuesit, por, sipas pedagogut të gazetarisë, Ervin Goci, ajo ka nevojë të bëjë një hop cilësor, sepse ka ngelur në një model mjaft të prapambetur.

“Mediat janë problematike, sepse modeli i tyre bazohet te media gjeneraliste private, e cila bazohet kryesisht mbi reklamën. Këto janë kryesisht reklama publike që vijnë nga fondet e administratës publike, nga allishverishet dhe lidhjet e shkurtëra që bota e medias ka me botën e politikës. Ky është një model, i cili në botën e zhvilluar praktikisht ka vdekur. Problemi është se ne e mbajmë gjallë këtë model me dhëmbë” - tha Ervin Goci, pedagog i gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Problemi i dytë i medias shqiptare, sipas studiuesve, është shkëputja nga audienca. Por pika kyçe mbetet problemi i pronësisë. Media shqiptare, thotë profesor Artan Fuga, nuk e njeh aksionariatin masiv, kontribuesit e vegjël qytetarë dhe gazetarë, por ka një sistem pronësor shumë të koncentruar.

“Media nuk financohet nga audiencat, në radhë të parë dhe nuk ka lidhje me audiencat për të mbijetuar. Duke mos patur këtë lidhje me audiencat, media i merr këto financime nga tenderat, ose nga reklamat, të cilat janë zvogëluar dhe nuk mjaftojnë për ta mbajtur, ose burime të tjera që vijnë nga njoftime zyrtare, ose nga burime joligjore” - tha zoti Fuga.

Gazetari është i varfër dhe i pambrojtur, pa ndonjë status të qartë. Gazetaria shqiptare vazhdon të xhirojë në vendnumëro, pohon zoti Goci, dhe vazhdon të mbajë lart mite të tejkaluara dhe të rrëzuara.

“Vazhdohet akoma me mitin e gazetarit të pas-90-ës; një gazetar i cili vjen me idenë e të qenit shpëtimtar nga një pushtet i katërt, që do të korigjojë gjithë problemet politike, sociale etj. Ky mit ka mbaruar, sepse vetë qëllimet e atij gazetari janë braktisur, dhe mbi të gjitha sepse modeli i biznesit dhe mënyra se si e prodhonte atë gazetari ka marrë fund dhe ne kemi të paktën 3 studime si departament, ku del se ka marrë fund” - thotë zoti Goci.

Mediat shqiptare janë zhytur, sipas studiuesve, në krizë financiare dhe prodhojnë gazetarinë më pak të kushtueshme, që është raportimi mbi politikën dhe ka braktisur fushat e tjera si krimi, investigimi apo ekonomia, të cilat u interesojnë më shumë qytetarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG