Lidhje

Rreziku i një bote pa antibiotikë


Statistikat në Shtetet e Bashkuara janë mjaft shqetësuese. Çdo vit 2 milionë njerëz marrin infeksione bakteriale që nuk shërohen dot, ose shërohen me vështirësi nga antibiotikët. Prej tyre, 23 mijë persona humbin jetën. Gjatë një konference në Berlin, mjekët paralajmëruan se situata do të përkeqësohet.

Çdo herë që përdorni sapun antibakterial, ose merrni antibiotikë për të luftuar një infeksion, një pjesë e bakterieve mbijetojnë.

Në një konferencë në Berlin, zyrtarët e mjekësisë paralajmërojnë se bakteriet që mbijetojnë po na udhëheqin drejt një apokalipsi post-antibiotik:

“Bisedojmë për situatën nëse kjo vazhdon, dmth rritja e superbakterieve, vdekja e mjekësisë moderne dhe një apokalips përtej antibiotikëve. Përse e quajmë kështu? Sepse me përjashtim të infeksioneve virale, në jetën tonë të përditshme, na duhen antibiotikët. Gjithashtu ka shumë njerëz që pësojnë infeksione për shkak të kurave kundër kancerit, transplanteve, etj. Ka gjithashtu pacientë me diabet, të cilët kanë prirje për infeksione. Do të humbnim pra, efektshmërinë e mbrojtjes së pacientëve”, shpjegon drejtorja mjekësore nga Anglia, zonja Dame Sally Davies.

Në një botë përtej antibiotikëve, zyrtarët e mjekësisë parashikojnë se çdo ndërhyrje do të bëhet më e rrezikshme, që nga ndërhyrjet kirurgjikale dhe deri tek procedurat më të thjeshta.

“Mendoni për ndërhyrjet e thjeshta, si p.sh. operacionet cezariane. Do të bëhej çdo gjë më e rrezikshme nëse nuk do të kemi antibiotikë të efektshëm. Superbakteriet po marrin jetë dhe po shtohen”, thotë zonja Davies.

Kjo është arsyeja që këta udhëheqës të mjekësisë u bëjnë thirrje vendeve të ulin nivelin e përdorimit të antibiotikëve, si dhe të hartojnë një plan veprimi kombëtar për ditën kur antibiotikët nuk do të jenë më të efektshëm.

“Duhet të sigurohemi që do t’i përdorim antibiotikët vetëm kur nevojitet dhe se do të gjejmë një mënyrë për të dërguar antibiotikë për njerëzit që i kanë vërtet të domosdoshëm. Jemi të ndërgjegjshëm se në shumë vende të varfra, njerëzit nuk kanë të njëjtët antibiotikë si në vendet e pasura. Prej kësaj mangësie, në ato vende vdesin qindra mijëra njerëz në vit. Pra, duhet të kemi një sistem të përgjegjshëm kujdestarie dhe disponueshmërie”, thotë Ed Whiting, i organizatës “Welcome Trust”.

Alarmi që u ngrit në konferencë ishte se antibiotikët tashmë gjenden kudo...

“Duhet të kuptojmë efektin në tërësi. Kemi p.sh. antibiotikë që përfundojnë në mjedis nëpërmjet mbetjeve; ka antibiotikë që përdoren në zinxhirin ushqimor; si dhe sigurisht, antibiotikët që përdoren nga njerëzit. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo është negative, por nuk kemi ende botëkuptimin se si këto ndërveprojnë”, thotë zoti Whiting.

Në konferencë, studiuesit paraqitën një mënyrë të re të regjistrimit të përhapjes së bakterieve që u rezistojnë ilaçeve. Ata vlerësojnë se 700 mijë njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit prej infeksioneve nga bakterie që u rezistojnë ilaçeve. Mendohet se deri në vitin 2050, ky numër mund të rritet në 10 milionë viktima në vit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG