Lidhje

Intelekti i foshnjeve, ilaç i ri, lodhja nga të nxehtit


Mjekët mirëpresin studimet dhe arritjet e reja, ndërkohë që japin këshilla për të nxehtit e madh, që ka përfshirë shumë vende të botës

Vështrim mbi Intelektin e Foshnjeve

Duke parë përmes syve të një fëmije, studimi sjell një perspektivë të re se si foshnjet e shohin botën e tyre të re. Pyetja që autorët e studimit përpiqen t’i përgjigjen është; Çfarë ndodh në trurin e një foshnjeje që e sheh këtë botë për herë të parë..dhe e shohin atë njësoj si të rriturit? Studimi u botua në “Proceedings of the National Academy of Science”

Shkencëtarët përdorën elektro-encephalografinë për të shqyrtuar reagimet e trurit tek foshnjet 12 javëshe, ndërsa atyre u viheshin përpara lodra të ndryshme.



Autorët zbuluan se truri i foshnjeve reagon njësoj si truri i personave të rritur kur këta shohin lodra të ngjashme. Por interesant ishte zbulimi se foshnjet kishin një tjetër mënyrë të veçantë shikimi - vemendja e tyre përqëndrohej fillimisht në periferi të objektit para se të fokusohej në qendër të tij.

Këtë mënyrë sjelljeje shkencëtarët e quajnë ‘visual foraging’ ose kërkim vizual. Ata mendojnë se ky lloj shikimi i lejon foshnjet për të krijuar një tablo më të qartë për të parë efektivisht dhe saktë botën e re, që në sytë e tyre duket e madhe dhe interesante.

Shkencëtarët mendojnë gjithashtu se kjo mënyrë e veçantë shikimi (kërkim vizual) hedh bazat për veprime a sjellje të tjera të foshnjeve, siç janë zgjatja e duarve dhe trupit për të prekur a kapur sendet për rreth.

Ilaç i ri, por jo magjik

Një medikament i ri me recetë për humbje peshe në afat të gjatë është miratuar nga Administrata e Ushqimeve dhe Barnave (FDA). Eshtë hera e parë në 10 vjet, që kjo administratë federale miraton një ilaç dietik.

Pilula e re – e njohur në farmaci si Belviq – është miratuar vetëm për të rriturit mbipeshë, të cilët kanë të paktën një problem shëndetësor – presionin e lartë të gjakut apo diabetin – si pasojë e mbipeshës.

Belviq vepron në receptorët në tru duke e bërë personin të ndihet i ngopur dhe kështu të hajë më pak.

Në provat klinike Belviq ka dhënë rezultate modeste. Pacientët që morën Belviq kishin dy herë më shumë gjasa për të humbur 5 për qind të peshës së tyre trupore, në krahasim me ata që morrën placebo.

Ekspertët thonë se 5 për qind humbje peshe në një vit nuk është e jashtëzakonshme – dhe mund të realizohet me dietë të përshtatshme dhe duke kryer ushtrime fizike. Por në një vend si Amerika ku mbipesha prek afërsisht 35 për qind të popullsisë, mjekët kanë bërë thirrje për çfarëdo mjeti të ri për të luftuar këtë epidemi – dhe tani ata e kanë këtë mjet.

Mjekët përgjithësisht e mirëpritën ilaçin e ri, duke thënë se duhet të përdoret vetëm nga pacientët që kanë nevojë për më shumë se një ndryshim kozmetik për të humbur peshë, dhe për të cilët humbja e peshës është domosdoshmëri mjekësore.


Shmangja e lodhjes nga të nxehtit

Parashikimet janë për një stinë të nxehtë. Por pushimet dhe argëtimet e verës mund të kthehen në të rrezikshme nga të nxehtit dhe djersitjet, ndërsa marrja e lëngjeve në sasi të pakta mund t’i mohojë trupit aftësinë e vetë-ftohjes.

Simptomat e lodhjes nga vapa përfshijnë përzierje në stomak, vjellje, marramendje, dhimbje koke, dhe rrahje të shpejta zemre. Rezultati mund të jetë urgjenca mjekësore.

Ekspertët thonë:

- Mos qëndroni shumë në të nxehtë. Kërkoni strehë në hije ose në mjedise me ajër të kondicionuar.

- Pini lëngje të ftohta. Uji dhe pijet sportive ripërtërijnë lëngjet e trupit dhe ulin temperaturën e brendshme.

- Laguni. Uji i ftohtë në lëkurë është një mënyrë për t’u freskuar (dhe)

- Mbani këmishën veshur. Pa atë si mbulesë, trupi absorbon më shumë nxehtësi.

Së fundi, nëse nuk ndiheni mirë brenda 30 minutave pasi të keni marrë këto masa – ju mund të jenë në rrezik për goditje nga të nxehtit. Në raste të tilla, shkoni sa më shpejt në urgjencën mjekësore më të afërt.

XS
SM
MD
LG