Lidhje

Takim jozyrtar mes presidentëve Obama dhe Xi Jinping


US China generic
US China generic

Takimi në Kaliforni pritet t'i ndihmojë dy udhëheqësit të ndërtojnë marrëdhënie personale

Presidenti Barak Obama shpreson që takimet e tij me presidentin e ri të Kinës, Xi Jinping, në mjediset e një prone private në Kaliforni, të ndihmojnë dy udhëheqësit të ndërtojnë një marrëdhënie personale. Takimi, që zhvillohet të premten dhe të shtunën, pritet të mbulojë çështje të piraterisë në internet, Korenë e Veriut dhe tregtinë.

Pritja zyrtare që iu bë udhëheqësit të mëparshëm të Kinës, Hu Jintao (Hu Gjin Tao) në vitin 2011 do të mungojë për presidentin e ri Xi Jinping.
Kur zoti Xi ishte zëvendës president i Kinës, ai u takua me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë. Por formati më pak zyrtar i takimit të tanishëm pranë Palm Springs të Kalifornisë, synon t’u japë më shumë kohë udhëheqësve të bisedojnë dhe të njohin njëri-tjetrin, thotë Michael Auslin, i Institutit American Enterprise në Uashington.

"Ata duan që dy udhëheqësit të jenë të lirë nga takimet formale, si ato të organizuara nga Departamenti i Shtetit - pra të lirë nga ato bankete apo takime të gjera - dhe në vend të kësaj të mund të ulen rreth një zjarri së bashku, të përveshin mëngët dhe të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga zemra."

Zyrtarët amerikanë thonë se zoti Obama do të flasë hapur me zotin Xi për akuzat se Kina po vjedh informacion nga bizneset amerikane, agjencitë qeveritare dhe forcat e armatosura. Kina e mohon se ushtria e saj është e angazhuar në pirateri kibernetike.
Cheng Li është bashkëpunëtor i lartë në Institutin Brookings të Uashingtonit.

"Sa i përket sigurisë kibernetike, ka një numër çështjesh që duhen trajtuar, duke përfshirë spiunazhin apo të drejtat e pronësisë intelektuale. Mendoj se në veçanti për të drejtat e pronësisë intelektuale ka shumë gjëra për të thënë, sepse kjo është pikërisht fusha në të cilën SHBA janë shumë më përpara se Kina."

Michael Auslin thotë se diskutimi i çështjes së vjedhjeve kibernetike është humbje kohe nëse Presidenti Obama nuk e mbështet bisedën me veprime.

"Ata nuk do t’i kushtojnë shumë vëmendje një presidenti amerikan, i cili ka si instrument të vetëm fjalët dhe kjo më shqetëson. Kinezët e dinë mirë këtë. Ata do të na kushtojnë më shumë vemendje nëqoftëse ne u themi se do të kenë pasoja të rënda për këtë që po bëjnë."

Shtëpia e Bardhë thotë se tregtia do të jetë ndër temat kryesore të takimit mes dy udhëheqësve të ekonomive më të mëdha të botës. Cheng Li thotë se të dyja palët mjaft kanë çështje për të cilat duan të diskutojnë.

"Ne duam të flasim për të drejtat e pronësisë intelektuale, për proteksionizmin e Kinës, dhe sidomos për ndërmarrjet shtetërore. Ndërsa Kina dëshiron të diskutohet për Partneritetin e Trans-Paqësorit, që ata mendojnë se është krijuar për të frenuar Kinën, për të lënë Kinën jashtë tregtisë së lirë ndërkombëtare."

Të dy presidentët, Obama dhe Xi, janë të shqetësuar në lidhje me kërcënimet e fundit bërthamore nga Koreja e Veriut dhe Pekini ka ndërmarrë një linjë të ashpër kundër aleates së të tij të vjetër. Ata mund të flasin edhe për konfliktin mes Kinës dhe Japonisë mbi ishujt në Detin e Kinës Lindore dhe për theksin në rritje që administrata Obama po u ve lidhjeve ushtarake me rajonin e Azi-Paqësorit.

XS
SM
MD
LG