Lidhje

Megjithë proceset gjyqësore, ish-Presidenti Trump vazhdon të ushtrojë ndikim të madh mes republikanëve


Ish-Presidenti Trump gjatë një takimi në Sarasota, 3 korrik 2021
Ish-Presidenti Trump gjatë një takimi në Sarasota, 3 korrik 2021

Presioni ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe rrethit të tij të brendshëm po shtohet. Ndaj kompanisë së tij, Organizatës Trump, po zhvillohet një hetim penal për mashtrim financiar dhe veprime të tjera të paligjshme. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ish-presidenti vazhdon të jetë popullor mes republikanëve dhe ushtron një influencë të madhe në këtë parti.

Megjithë proceset gjyqësore, ish-Presidenti Trump vazhdon të ushtrojë ndikim të madh
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Shumica e ish-presidentëve amerikanë qëndrojnë përgjithësisht larg syve të publikut. Me përjashtim të rasteve kur filmohen duke bërë surfing, si ish-Presidenti Barack Obama.

Ose, kur prezantojnë një program bursash, siç vepruan së bashku ish-Presidenti Bill Clinton dhe ish-Presidenti George W. Bush.

Por, ish-Presidenti Donald Trump është ndryshe. Ai ende organizon tubime, për të sulmuar Presidentin Joe Biden dhe për të promovuar atë që demokratët e quajnë “gënjeshtra e madhe”.

Gjatë një anketimi në Konferencën e Veprimit Politik Konservator javën e kaluar, ish-Presidenti Trump fitoi 70% të votave për nominimin presidencial të republikanëve për vitin 2024. Më herët këtë vit, ai sinjalizoi se mund të kandidojë sërish.

“Një president republikan do ketë një rikthim triumfator në Shtëpinë e Bardhë. Pyes veten kush do të jetë vallë?”, tha gjatë një fjalimi ish-Presidenti Trump.

Nëse ai do të kandidojë apo jo, do të varet nga fitorja apo humbja e kandidatëve që ai do të mbështesë gjatë zgjedhjeve për Kongresin në vitin 2022.

“Presidenti Trump ruan një bazë shumë të fortë mbështetësish republikanë që i japin pushtet brenda partisë. Kjo nuk mjafton domosdoshmërisht për të fituar zgjedhjet. Por, mjafton për të fituar zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, dhe për t’u bërë sërish kandidati për president i kësaj partie. Ata mund të humbasin për shkak të historikut të tij, por ai vërtet mund ta fitojë emërimin. Dhe kjo është arsyeja pse zyrtarët republikanë po e trajtojnë me shumë kujdes dhe vetëm pak prej tyre duan ta sfidojnë atë drejtpërdrejt”, thotë Thomas Schwartz, historian i çështjeve presidenciale në Universitetin Vanderbilt.

Ata që e sfidojnë, paguajnë një çmim. Në muajin maj, ligjvënësit republikanë larguan nga postet drejtuese zonjën Liz Cheney, pasi ajo kritikoi ish-Presidentin Trump për pretendimet e pabaza se Presidenti Biden fitoi zgjedhjet me manipulime, pretendime që rezultuan në sulmin e mbështetësve të ish-Presidentit Trump ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar.

“Nuk mund të tërhiqemi mbrapsht nga gënjeshtrat shumë të rrezikshme të një ish-presidenti”, deklaroi zonja Cheney.

Ish-Presidenti Trump ushtron ndikim pavarësisht padive dhe skandaleve. Kompania e tij, Organizata Trump, po hetohet penalisht për dyshimet për mashtrim financiar dhe afera të tjera.

Avokati i ish-Presidentit Trump, Alan Futerfas, thotë se paditë janë të motivuara politikisht.

“Mendoj se në 244 vjet, nuk kemi patur një prokuror rrethi që i qepet ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, punonjësve të tij, apo kompanisë së tij. Pra kjo është një vijë domethënëse që është shkelur”, tha avokati Futerfas.

Ndërsa amerikanët vazhdojnë të trazohen nga sulmi që iu bë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, një libër i ri zbuloi se edhe drejtuesit e lartë ushtarakë ishin të shqetësuar se ish-Presidenti Trump mund të përpiqej për një puç pas humbjes së zgjedhjeve të nëntorit 2020, dhe se kishin hartuar plane për ta ndalur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG