Lidhje

Angela Merkel nuk do të kërkojë mandat tjetër si kancelare në 2021


Angela Merkel tha të hënën se nuk do të kandidojë më për postin e kancelares në vitin 2021 në fund të mandatit aktual, pasi një sërë krizash politike dhe rënia e thellë e mbështetjes për partinë e saj në dy votime rajonale tronditën koalicionin e saj të brishtë. Kancelarja Merkel kishte informuar më parë partinë e saj Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) se do të tërhiqej nga posti i kryetares së partisë në kongresin e saj në dhjetor për t’i hapur rrugën një udhëheqjeje të re.

Angela Merkel konfirmoi të hënën se nuk do të kërkojë rizgjedhje në krye të partisë dhe si kancelare, duke shënuar kështu fillimin e fundit të mbizotërimit të saj 13 vjeçar në politikën evropiane.

"Së pari, në Kogresin e CDU-së në dhjetor në Hamburg, nuk do të kandidoj për kreun e CDU-së. Së dyti, ky mandat i katërt është i fundit për mua si kancelare e Gjermanisë. Në zgjedhjet federale të vitit 2021, nuk do të kandidoj për postin e kancelarit, as për Bundestagun, dhe për hir të protokollit nuk do të kërkoj më poste politike”, tha ajo.

"Sot është koha për të filluar një kapitull të ri”, u tha ajo gazetarëve në selinë e partisë.

Më parë zonja Merkel kishte lënë të kuptohej se kishte ndër mend të kërkonte një mandat tjetër dyvjeçar, por duket se veproi me shpejtësi në përgjigje të presionit për udhëheqje të re. Zonja Merkel ka drejtuar partinë që nga viti 2000 dhe është kancelare e Gjermanisë që nga viti 2005.

"Me këtë vendim, po përpiqem të jap një kontribut që i jep mundësi qeverisë gjermane, të përqendrohet tek përpjekjet për qeverisje të mirë, diçka që njerëzit e kërkojnë me të drejtë”, tha zonja Merkel.

Paraardhësi i zonjës Merkel, Gerhard Schroeder dhe dorëheqjen si udhëheqës i socialdemokratëve të së majtës së qendrës në vitin 2004, ndërsa qeveria e tij po përballej me sfida por e mbajti postin e kancelarit.

Për vite me radhë zonja Merkel ka këmbëngulur se kancelari duhet të jetë edhe kryetar partie.

Aktualisht zonja Merkel qeveris Gjermaninë me një “koalicion të madh” të partive më të mëdha të vendit: CDU, Bashkimi Kristian-Social dhe socialdemokratët. Mandati i saj i katërt filloi në mars por qeveria e saj ka pasur debate të ashpra të brendshme.

Zhvillimet e të hënës vijnë pasi CDU-ja doli e para, por me humbje mbështetjeje në zgjedhjet në shtetin perëndimor Hesse të dielën, gara e dytë zgjedhore ku pësoi rënie brenda dy javësh për aleancën konservatore të zonjës Merkel.

Tërheqja nga posti i kryetares së partisë do t’i jepte mundësi një personi tjetër nga radhët e CDU-së që të krijojë një profil të vetin para zgjedhjeve të ardhshme kombëtare në vitin 2021.

Sekretarja e Përgjithshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer është favoritja e zonjës Merkel për ta pasuar atë.

XS
SM
MD
LG