Lidhje

Rishfaqet në publik Zonja e Parë, Melania Trump


Zonja e Parë Melania Trump u shfaq dje në publik përkrah të shoqit në një aktivitet të Agjencisë Federale të Emergjencave. Është hera e parë në afro një muaj që zonja Trump shfaqet në publik, pas spekulimeve të shumta mbi mungesën e saj të zgjatur që pasoi shtrimin në spital dhe ndërhyrjen që ajo bëri në veshka. Korrespondentja Elizabeth Cherneff sjell hollësi:

Në një seancë informimi me punonjës të ekipeve emergjente, presidenti përshëndeti fillimisht Zonjën e Parë:

“Faleminderit, Melania. Ajo kaloi disa ditë të vështira, por është shumë mirë; të gjithë jemi krenarë për të. Ka bërë një punë fantastike si zonjë e parë. Njerëzit të duan, vendi të do, faleminderit e dashur”.

Zonja Trump e cila iu nënshtrua një operacioni në maj, qëndroi në spital për pesë ditë dhe nuk është shfaqur në publik që atëherë duke zgjuar spekulime për vendndodhjen.

Dje presidenti sulmoi mediat për raportimet mbi zonjën e parë, duke i quajtur thashethemet “të padrejta, keqdashëse dhe të sajuara” dhe duke shtuar se Melania ishte shumë mirë.

Të hënën, një videoklip i postuar në Twitter tregonte zonjën e parë në një nga mjediset e Shtëpisë së Bardhë, së bashku me presidentin, duke marrë pjesë në një pritje për familjet e ushtarakëve.

Zonja Trump ka qenë e rezervuar në angazhimet publike, që kur mori rolin e zonjës së parë, thotë Katherine Jellison e cila drejton departamentin e historisë në Universitetin e Ohajos.

“Fakti që po rezervohet në angazhimin publik i ka bërë njerëzit edhe më kureshtarë. Ajo po analizohet njësoj si më parë. Ajo që ndryshon është se Melania nuk po i përgjigjet kureshtjes së njerëzve që bëjnë pyetje dhe duan të dinë”.

Kur familja Trump u nis këtë fundjavë për në pikën presidenciale të pushimeve, në Kemp Dejvid të Merilandit, zonja Trump nuk shkoi. Mungesa e saj u bë edhe më e dukshme pasi ajo sapo ka prezantuar politikën e saj zyrtare për mirëqënien, median sociale dhe krizën e opioideve.

“T’u mësojmë fëmijëve dallimin mes të mirës dhe të keqes dhe t’i nxisim të bëjnë më të mirën në rrugën e jetës,” u shpreh zonja Trump.

Disa thonë se prania e zonjës së parë në aktivitete publike nuk është çështje ligjore apo kushtetuese, por është normë sociale dhe kulturore.

“Kritikat ndaj saj bazohen në shembullin e pararendëseve, pasi amerikanët janë mësuar që zonja e parë, pavarësisht nga rrethanat personale apo problemet shëndetësore ose tragjeditë familjare, të vazhdojë të angazhohet publikisht,” thotë zonja Jellison.

Që nga diskutimet mbi rrobat që vesh, deri tek politikat që përqafon, nuk pritet që vëmendja e medias të shuhet për zonjën e parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG