Lidhje

Merkel viziton Athinën


Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi sot bisedime në Athinë me kryeministrin e vendit, ndërkohë që kryeqyteti grek u përfshi nga protestat masive. Zonja Merkel tha se sakrificat e grekëve për shkurtimin e shpenzimeve do të shpërblehen, një mesazh ky aspak i pëlqyeshëm për dhjetra mijëra vetë që kishin dalë për të protestuar ndaj vizitës së parë të zonjës Merkel në Greqi, që nga fillimi i krizës së eurozonës tre vjet më parë. Zonja Merkel i bëri këto komente pasi u takua me kryeministrin grek Antonis Samaras. Mijëra policë ishin vendosur në mbarë Athinën për të mbajtur nën kontroll mbi 25 mijë protestuesit gjatë vizitës 5-orëshe të zonjës Merkel.

Policia u përlesh me disa nga demonstruesit dhe ndaloi të paktën 40 prej tyre. Zemërimi i protestuesve buron nga kërkesa e vështirë që i është shtruar vendit për t’i mbajtur premtimet e nevojshme për të paguar borxhet dhe anëtarësimin për shumë vite në Bashkimin Evropian. Qeveria e zotit Samaras ka zbatuar masa të ashpëra, të cilat nuk janë aspak popullore në vend. Zonja Merkel fajësohet në Greqi për rolin që ka patur në nxitjen e këtyre masave, sidomos në kushtet kur Greqia po përjeton një recesion të vështirë.

Qëndrimi pesëorësh i Kancelares Merkel shihet nga qeveria greke si një shtytje shumë e nevojshme për të ardhmen e vendit në Evropë, por protestuesit e shohin atë si një paralajmërim për masa të mëtejshme shtrënguese.

Më shumë se 7,000 policë ishin mobilizuar në Athinë. Ata kishin rrethuar parqe dhe pjesët e tjera të qytetit për të mbajtur larg demonstruesit nga bisedimet e udhëheqëses gjermane me kryeministrin konservator Antonis Samaras dhe zyrtarë të tjerë.

Protestuesit u përpoqën të hiqnin barrikadat jashtë parlamentit dhe u përleshën me policinë për të sfiduar masat shtrënguese, ndërkohë që zonja Merkel zhvillonte takime udhëheqësit politikë.

Një grup protestuesish ishin veshur si oficerë nazistë.

Mesazhi ynë është një. Tradita demokratike në Evropë nuk lejon që populli grek, një popull evropian të kthehet në një kavie për krizën dhe që Greqia të bëhet një varrezë sociale. Ne do të fitojmë, sepse drejtësia është në anën tonë,” tha Alexis Tsipras, udhëheqës i Partisë Syriza.

Masat e ashpra të sigurisë përfshinin ndalimin e tubimeve publike jashtë Ambasadës Gjermane dhe në pjesë të tjera në qendër të Athinës, si dhe në hapësirën prej 100 metrash nga rruga ku do të kalonte autokolona që vinte nga aeroporti. Të paktën 40 vetë u ndaluan për t'u marrë në pyetje. Policia ndalonte këmbësorë edhe në zonat ku lëvizja ishte e pakufizuar.

Shumë prej politikanëve kryesorë të Evropës kanë shmangur udhëtimet zyrtare në Greqi për të evituar rrezikun e një pritjeje jomiqësore, ndërkohë që vendi po përpiqet të mbajë angazhimet për të garantuar marrjen e kredive të shpëtimit dhe anëtarësimin afatgjatë në Eurozonë.

Zonja Merkel, vendi i së cilës është kontribuesi më i madh i kredive për Greqinë, e pranoi ftesën e zotit Samaras megjithë dështimin e qeverisë greke për të përfunduar marrëveshjen mbi një paketë masash të reja shtrënguese.

Që nga maji i vitit 2010, Greqia varet nga ndihmat financiare të Evropës dhe të Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për të marrë kredi, ajo ka zbatuar një sërë shkurtimesh të buxhetit dhe rritje të mëdha taksash, duke rritur gjithashtu moshën e daljes në pension dhe lehtësuar shkurtimet në sektorin privat.
XS
SM
MD
LG