Lidhje

Merkel-Putin; bisedojnë për Afganistanin, Ukrainën dhe Alexei Navalnin


Kancelarja gjermane Angela Merkel takoi sot në Moskë presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa marrëdhëniet mes dy udhëqehësve janë në nivelet më të ulta që pas Luftës së Ftohtë. Ky është udhëtimit i fundit i kancelares Merkel në Rusi, ndërsa pritet të largohet nga politika pas 16 vitesh si kancelare.

Marrëdhëniet e zonjës Merkel dhe zotit Putin u përkeqësuan në vitin 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina. Takimi i sotëm përkon dhe me përvjetorin e parë të helimimit të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, një incident që i tensionoi rëndë lidhjet Rusi-Gjermani.

Zotin Putin i dha lule kancelares Merkel para bisedimeve dhe tha se ai priste një takim të rëndësishëm pavarësisht se ishte një vizitë “lamtumire”, siç e quajti ai.

Në konferencën për gazetarët kancelarja Merkel i kërkoi Presidentit rus Vladimir Putin të lirojë kritikun Alexei Navalny si dhe të zgjasë një marrëveshje me Ukrainën për gazin, që skadon në vitin 2024.

"Unë kam kërkuar edhe një herë nga presidenti që të lirojë zotin Navalny dhe e kam bërë të qartë se ne nuk do të ndryshojmë qëndrim për këtë çështje," tha zonja Merkel.

Presidenti Putin u përgjigj duke thënë se kritiku i tij Navalny nuk u dënua për aktivitetin e tij politik.

Një tjetër pikë dikutimi ishte dhe çështja e Afganistanit. Presidenti rus tha se Moska dhe partnerët e saj duhet të bashkohen për të ndihmuar njerëzit në Afganistan. Ai tha se Rusia ishte e interesuar që vendi (Afganistani) të ishte i qëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG