Lidhje

Merkel, optimiste për të ardhmen e Greqisë


Kancelarja gjermane Angela Merkel mbërriti sot në Athinë për një vizitë të shkurtër, në një klimë optimizmi mes zyrtarëve grekë dhe evropianë për kthimin e suksesshëm të vendit në tregjet e bonove këtë javë.

Zonja Merkel tha se ishte optimiste për të ardhmen e Greqisë. Ajo tha se për popullin e Greqisë ekzistojnë më shumë shanse sesa vështirësi.

Kancelarja gjermane zhvilloi bisedime me kryeministrin Antonis Samaras, i cili përballet me kërkesat e partive të opozitës për të mbajtur zgjedhje të parakohshme krahas votimit, muajin e ardhshëm, për Parlamentin Evropian.

Ata pritej të diskutonin mbi një nismë gjermane për të mbështetur bizneset e vogla greke si dhe mbi negociatat e ardhshme për lehtësimin e borxhit të Greqisë.

Policia ndaloi protestat në qendrën e Athinës dhe angazhoi rreth 5.000 policë në të gjithë kryeqytetin.

Dje, Greqia hyri në tregjet e obligacioneve për herë të parë që nga viti 2010, gjë që shënon një moment historik në rimëkëmbjen e saj.

Por, masat shtrënguese që kanë ndihmuar në stabilizimin e financave publike greke kanë shkaktuar dhimbje për popullatën.

Ekonomia është tkurrur me rreth një të katërtën gjatë krizës dhe papunësia është rreth 27 për qind.
XS
SM
MD
LG