Lidhje

Mesazhi i Presidentit Biden: thirrje për unitet, ndërsa vendi ndodhet në kohë sprove


Presidenti Joe Biden mban fjalimin pasi bëri betimin si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara (Jan. 20, 2021)
Presidenti Joe Biden mban fjalimin pasi bëri betimin si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara (Jan. 20, 2021)

Duke u përballur me sfida nga më madhoret për disa breza, Joe Biden e mori detyrën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të mërkurën dhe premtoi të bashkojë vendin për t'iu përgjigjur "thirrjes së historisë".

Duke qëndruar në shkallët perëndimore të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ku dy javë më parë një turmë e irrituar sulmoi Kongresin në përpjekje për të ndalur çertifikimin e zgjedhjes së tij, zoti Biden tha se vendi është në "periudhë sprove".

"Ne përballemi me një sulm ndaj demokracisë tonë dhe të vërtetës", tha ai. "Një virus i egër, pabarazia në rritje, plagët e racizmit në sistem, një klimë në krizë. Roli i Amerikës në botë".

Çdo njëra prej këtyre katastrofave më vete do të kishte mjaftuar për ta sfiduar Amerikën rrënjësisht, tha ai, dhe megjithatë presidenti i ri po i trashëgon të gjitha këto së bashku - "duke e ngarkuar këtë vend me përgjegjësitë më të mëdha që kemi patur ndonjëherë".

Megjithatë, në fjalimin e tij të parë si president, zoti Biden nuk u mor me problemet e shumta që po trazojnë vendin. Në vend të kësaj ai u fokusua tek ajo çfarë ai mendon se e pengon vendin të përballet me to: një ndasi e thellë dhe e hidhur politike që e ka bërë të pamundur ndërhyrjen efikase nga qeveria federale.

Thirrje për unitet në kohëra përçarëse

"Për t'i kaluar këto sfida, për të rikthyer shpirtin dhe për të siguruar të ardhmen e Amerikës, duhen shumë më tepër se fjalë", tha Presidenti Biden. "Duhet ajo çfarë është më e pakapshmja në një demokraci: uniteti".

Thirrja e Presidentit Biden për unitet ishte në kontrast të fortë me pararendësin e tij, ish-Presidentin Donald Trump, i cili i pati kaluar 11 javët e fundit duke u munduar të delegjitimonte zgjedhjen e zotit Biden, duke përhapur pretendime false për manipulime elektorale. Duke vepruar kështu, ish-Presidenti Trump bashkoi kauzat me organizatat supremaciste, mbështetësit e teorive të konspiracionit dhe ekstremistët e djathtë, duke nxitur më së fundmi sulmin drejt Kapitolit më 6 janar dhe duke shtyrë kështu Dhomën e Përfaqësuesve të ngrejë akuza ndaj tij për të dytën herë.

"E di se të flasim për unitet këto ditë, mund t'u duket disave si një fantazi jo e mençur", tha Presidenti Biden. "E di që forcat që na ndajnë janë të thella, dhe janë të vërteta. Por unë di edhe se nuk janë të reja. Historia jonë ka qenë një luftë e vazhdueshme mes idealit amerikan se ne jemi krijuar të gjithë të barabartë, dhe realitetit të ashpër dhe të shëmtuar se racizmi, prejardhja, frika dhe demonizimi na kanë përçarë".

Duke pranuar ndoshta se një bashkim i plotë i popullit amerikan është pothuajse i pamundur, ai sidoqoftë vuri në dukje se gjatë përpjekjeve të mëparshme në historinë e vendit, "mjaftueshëm prej nesh - mjaft prej nesh - janë bashkuar për të na zhvendosur të gjithëve përpara, dhe ne mundemi ta bëjmë këtë tani".

Komunikimi me republikanët

Gjatë javës së kaluar, zoti Biden ka paraqitur një plan të detajuar për të menaxhuar pandeminë dhe pasojat e saj ekonomike, përfshi një paketë asistence financiare prej 1.9 trilionë dollarësh. Megjithëse nuk u hyri detajeve në fjalim, thirrjet e vazhdueshme për unitet duket se u drejtoheshin pjesërisht ligjvënësve republikanë të cilët mund t'ja bëjnë të vështirë Presidentit Biden kalimin me ligj të planit të tij.

Ndërsa demokratët do të kenë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të dy dhomave të Kongresit, shumica e tyre në legjislaturë është mikroskopike, veçanërisht në Senat ku do të duhet vota e Nënpresidentes Kamala Harris për të thyer një barazim 50-50 mes demokratëve dhe republikanëve. Dhe Senatori nga shteti Kentucky, Mitch McConnell, tani udhëheqësi i pakicës, është treguar një gjeni për bllokimin e përparësive të presidentëve demokratë.

"Sigurisht që zgjedhjet e nëntorit nuk i dhanë asnjë pale një mandat për ndryshime të mëdha ideologjike", tha Senatori McConnell në fjalën në Senat një ditë para inaugurimit presidencial. "Amerikanët zgjodhën një Senat të ndarë ngushtë, një Dhomë të ndarë ngushtë dhe një kandidat për president i cili tha se ai do të përfaqësonte të gjithë."

Siç bëjnë shumica e presidentëve të rinj, Presidenti Biden me të vërtetë u zotua të punojë për të mirën e të gjithë amerikanëve, jo vetëm të atyre që e mbështetën në zgjedhje. Por, ai i shtoi kësaj një kërkesë personale për ata që e kundërshtuan.

Presidenti Biden përshëndetet me kreun e republikanëve në Senat, Mitch McConnell
Presidenti Biden përshëndetet me kreun e republikanëve në Senat, Mitch McConnell

"Më dëgjoni ndërsa lëvizim përpara", tha ai. “Peshomëni mua dhe zemrën time. Nëse akoma nuk jeni dakord, ashtu qoftë. Kjo është demokracia. Kjo është Amerika. E drejta për të kundërshtuar paqësisht brenda kuadrit të republikës sonë është mbase forca më e madhe e këtij kombi. Megjithatë më dëgjoni qartë: mosmarrëveshja nuk duhet të çojë në përçarje".

Një mesazh për aleatët

Zoti Biden, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij 36-vjeçare në Senatin amerikan si anëtar dhe në vazhdim kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, pohoi se në vitet e fundit politika e administratës Trump "Amerika e Parë" e kishte distancuar vendin nga aleatët dhe e kishte zvogëluar rolin në skenën botërore.

"Ky është mesazhi im për ata që ndodhen përtej kufijve tanë", tha ai. "Amerika u testua dhe ne kemi dalë më të fortë. Ne do të riparojmë aleancat tona dhe do të angazhohemi me botën përsëri, jo për t'u përballur me sfidat e djeshme, por me sfidat e sotme dhe të nesërme".

Shtetet e Bashkuara, premtoi ai, sërish "do të jenë një partner i fortë dhe i besuar për paqen, përparimin dhe sigurinë".

Aaron Kall, instruktori për debatet në Universitetin e Miçiganit, tha se fjalimit inaugurues të zotit Biden i mungonte "një linjë unike që duhet për t'u bërë me të vërtetë i paharrueshëm dhe që t'i rezistojë kohës".

Por zoti Kall shtoi se, "kjo nuk do të jetë për shkak të mungesës së përpjekjeve të sinqerta. Biden i kërkoi vendit t'i jepte administratës së tij një shans të drejtë dhe suksesi i ardhshëm i axhendës së tij në Kongres do të përcaktojë se si historia e mban mend fjalimin gjatë kësaj trazire dhe momenti unik në kohë".

Një shkëputje nga epoka Trump

Gjatë fjalimit, Presidenti Biden përmendi tre ish-presidentët që ishin në ceremoni, demokratët Barack Obama dhe Bill Clinton dhe republikanin George W. Bush, si dhe demokratin Jimmy Carter, i cili nuk ishte në gjendje të udhëtonte për në Uashington. Ai nuk përmendi paraardhësin e tij, Donald Trump, i cili zgjodhi të mos merrte pjesë dhe ende nuk ka pranuar legjitimitetin e fitores së zotit Biden.

Ish-presidentët Obama, Bush, dhe Clinton së bashku me bashkëshortet
Ish-presidentët Obama, Bush, dhe Clinton së bashku me bashkëshortet

Sidoqoftë, komentet e zotit Biden e bënë të qartë se ai dëshiron t'i ofrojë vendit një pauzë nga presidenca Trump, e cila u karakterizua nga thyerja e normave, ngërçi legjislativ dhe përdorimi si mjet luftarak i llogarisë personale të presidentit në Twitter kundër kujtdo që e zemëronte, pavarësisht nga partia të cilës i përkiste.

"Politika nuk ka pse të jetë një zjarr i ndezur që shkatërron gjithçka në rrugën e saj", tha Presidenti Biden. "Çdo mosmarrëveshje nuk duhet të jetë shkak për luftë totale".

Duke iu kthyer temës së tij, ai tha: “Ne mund ta trajtojmë njëri-tjetrin me dinjitet dhe respekt. Ne mund të bashkojmë forcat, të ndalojmë britmat dhe të ulim temperaturën. Sepse pa unitet nuk ka paqe, vetëm hidhërim dhe tërbim. Pa progres, vetëm zemërim rraskapitës. Pa komb, vetëm një gjendje kaosi”.

Biden vazhdoi duke thënë se "Ky është momenti ynë historik i krizës dhe sfidës, dhe uniteti është rruga përpara. Dhe ne duhet të përballemi me këtë moment si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse e bëjmë këtë, ju garantoj, nuk do të dështojmë”.

"Gënjeshtrat e treguara për pushtet dhe për fitim"

Presidenti Biden ruajti disa nga kritikat e tij më të forta të nënkuptuara për politikanët dhe mediat që kanë kontribuar në një sferë publike amerikane në të cilën anëtarët e fraksioneve të ndryshme politike veprojnë me versionet e tyre të fakteve.

Gënjeshtrat e ish-Presidentit Trump në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale - të cilat ai i përshkroi si një fitore të madhe për veten e tij - u përforcuan nga një rrjet i madh i organizatave të lajmeve të krahut të djathtë dhe shumë anëtarë të shquar të Partisë Republikane, në një përpjekje për t'i siguruar presidentit në ikje mandatin e dytë në detyrë.

Presidenti Biden sugjeroi se pjesëmarrja në përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me zgjedhjet i vendosi zyrtarët e zgjedhur në shkelje të betimeve që bënë kur morën detyrën.

"Javët dhe muajt e fundit na kanë dhënë një mësim të dhimbshëm", tha ai. “Ka të vërteta dhe ka gënjeshtra. Gënjeshtra të treguara për pushtet dhe për fitim. Dhe secili prej nesh ka një detyrë dhe një përgjegjësi si qytetarë, si amerikanë, dhe veçanërisht si udhëheqës, udhëheqës që janë zotuar të nderojnë Kushtetutën tonë dhe të mbrojnë kombin tonë, për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mposhtur gënjeshtrat".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG