Lidhje

Rezultatet e hetimit të rrëzimit të avionit MH17


Një grup pune i drejtuar nga Holanda që hetoi rrëzimin e avionit MH17 të linjës ajrore Malaysia mbi Ukrainën Lindore, thotë se aeroplani u godit nga një raketë tokë-ajër e lëshuar nga një raketahedhëse ruse e llojit Buk.

Zyrtarët hollandezë i bënë të njohura përfundimet e hetimit sot në Hagë, me një pjesë të rindërtuar të avionit që dukej në sfond.

Tjibbe Joustra, kryetar i Bordit Hollandez të Sigurisë u tha familjarëve dhe medias se avioni u godit nga ana e majtë nga shrapnel nga aktivizimi i një rakete të lëshuar nga toka. Ai tha se avioni u shkatërrua menjëherë në ajër.

Ai tha se Ukraina ishte përgjegjëse për të mbyllur hapësirën ajrore mbi zonën e konfliktit të armatosur dhe vendosi të mos ta bëjë një gjë të tillë. Ai shtoi se askush nuk e shqyrtoi mundësinë se një avion civil ishte në rrezik në një lartësi të tillë.

“Ditën e rrëzimit, 160 avionë kishin fluturuar në atë zonë, deri në momentin kur u mbyll hapësira ajrore pas rrëzimit. Asnjë nga palët e përfshira të aviacionit, nuk e pranoi rrezikun që paraqiste për aviacionin civil nga konflikti i armatosur në terren. Sipas opinionit të Bordit Holandez të Sigurisë, kishte arsye të mjaftueshme për të mbyllur hapësirën ajrore mbi pjesën lindore të Ukrainës si masë parandaluese. Autoritetet ukrainase nuk e bënë një gjë të tillë”.

Zoti Joustra tha se komisioni rekomandon që në të ardhmen shtetet me konflikte të armatosura duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje sigurisë së hapësirës së tyre ajrore dhe operatorët e fluturimeve duhet të jenë më transparentë për rrugën e fluturimit që zgjedhin.

Kryeministri holandez Mark Rutte i ka bërë thirrje Rusisë që të bashkëpunojë plotësisht me hetimin penal për përgjegjësit e rrëzimit të avionit të Malaysia Airline.

Zëdhënësi i Këshillit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Ned Price tha se vlerësimi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka ndryshuar.

“MH17 u rrëzua nga një raketë tokë-ajër lëshuar nga territor i kontrolluar separatistët në Ukrainën Lindore”, tha ai.

Zoti Price shtoi se Shtetet e Bashkyara do të mbështesin të gjitha përpjekjet për të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë”.

Rrëzimi i avionit më 17 korrik, 2014 shkaktoi vdekjen e 298 personave në bord.

Komisioni hollandez nuk përmendi përgjegjës për rrëzimin, megjithë dyshimet perëndimore se kryengritësit e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore hapën zjarr ndaj avionit, duke menduar gabimisht se ishte avion ushtarak.

Fabrika shtetërore ruse e prodhimit të raketave, Almaz-Antey tha të martën në mëngjes se hetimi i saj lë të kuptohet se raketa Buk ishte lëshuar nga qyteti i Zaroshenskes, që fabrika thotë se ishte nën kontrollin e qeverisë ukrainase në kohën e aksidentit.

XS
SM
MD
LG