Të paktën tre protestues humbën jetën në Mianmar të hënën, një tjetër ditë demonstratash kundër rrëzimit të qeverisë civile nga ushtarakët muajin e kaluar.
Viktimat ishin në qytetin Myitkyina. Fotot e marra nga gazetarët e shërbimit birmanez të Zërit të Amerikës tregojnë njerëz të qëlluar me armë zjarri të shtrirë në rrugë dhe të mbuluar me gjak.
Vdekjet përkojnë me grevën e përgjithshme të filluar nga aleanca e nëntë sindikatave për të mbështetur lëvizjen kundër grushtit të shtetit dhe për t’u bërë presion anëtarëve të juntës ushtarake.
Grevat e nëpunësve civilë, duke përfshirë operatorët e trenave, vazhdojnë prej javësh.
Të hënën, dyqanet, fabrikat dhe bankat në Rangun ishin të mbyllura, ndërsa në qytet, më i madhi i vendit, pati grumbullime njerëzish, megjithë praninë e madhe të trupave ushtarake që kontrollonin makinat në rrugë.
Protestuesit u mblodhën edhe në qytetin e dytë më të madh, Mandalay dhe qytetin perëndimor Monywa.
Protestuesit valvitnin flamuj të bërë nga veshjet tradicionale të grave, ose i varnin ato në rrugë, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe për të denoncuar juntën.
Thirrjet për të paralizuar aktivitetin ekonomik erdhën të dielën pas një dite tjetër të përgjakshme midis protestuesve dhe policisë e ushtrisë, të cilët mbajnë të pushtuara spitalet në Rangun.
Facebook Forum